Edhe Dumani kundër, kreu i SPAK flet për kodin penal, Veliajn dhe 21 Janarin

Nga Armand Bajrami
31 Korrik 2025, 21:29 | Kronikë

Pas kryetarit të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë, edhe kreu i SPAK, Altin Dumani, u pozicionua tek kritikët e draftit të Kodit të Ri Penal. Gjatë një takimi informal me gazetarët, Dumani tha nuk kishin qenë pjesë e grupit të punës dhe se debati mbi një Kod të ri duhet të niste ndryshe.

“Unë mendoj se debati që duhet të bëhej është a është i nevojshëm një kod iri penal, apo a ka nevojë për përmirësime kodi aktual. Mendoj se duhen bërë disa ndryshime për vepra penale që parashikojnë dënime të rënda. Një rast, që më vjen ndërmend është prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Ka ardhur koha për një diferencim të dënimeve. Nuk mund të jetë i njëjti dënim, si për ata që kapen me kokainë, me kanabis apo droga sintetike. Për mendimin tim, për ata që kapen me drogra sintetike, dënimi duhet të ishte më i rëndë. Ka një draft, të cilin ende nuk e kemi marrë zyrtarisht. Ne nuk jemi përfshirë në këtë draft. Kam ndjekur qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shumë gjëra bashkohem me të. Kur të na jepet zyrtarisht dhe kërkohet një qëndrim do ta bëjmë”.

Në lidhje me krimet zgjedhore, Dumani tha se SPAK kishte administruar 193 kallëzime, në të cilat dominonin 80 materiale, kallëzime nga shtetasit, gati 54 nga subjektet politike si edhe 10 hetime të nisur kryesisht. Sipas tij, nga 43 hetime të regjistruara vetëm një është çuar për gjykim, ndërsa për 43 kallëzime të tjera, kryesisht të bëra nga partitë politike, është vendosur mos fillim kallëzimi, pasi nuk shoqëroheshin me prova mbështetëse. Dumani tha se mes personave nën hetim ka edhe zyrtarë, por nuk ndau detaje se deri të cilit nivel ishin në hierarkinë shtetërore. I pyetur nga A2 nëse do të angazhohet SPAK t’i përgjigjet7 pyetjeve publike të bërë nga kryebashkiaku i pandehur i Tiranës, Erion Veliaj, Dumani tha se SPAK nuk merret me qëndrimet publike të personave nën hetim, të të pandehurve apo avokatëve të tyre.

“Në kuptimin procedural të pandehurit i përgjigjemi vetëm nëse sjell një kërkesë, apo një memo në prokurori në rrugët e përcaktuara nga ligji. Vetëm në këtë formë prokuroria komunikon me personat nën hetim, apo me të pandehur siç është statusi aktual i kryebashkiakut”.

Dumani nënvizoi mos koordinimin institucional me SPAK dhe Avokaturës së Shtetit në gjykimin e çështjes “Gëllçi kundër Shqipërisë” në Gjykaten e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Sipas Dumanit, në vendimin e Strasburgut ka të dhëna të pasakte dhe se Avokatura e Shtetit, ndonëse përfaqëson shtetin, nuk ka kërkuar asnjë informacion nga SPAK. Për dosjen “21 janari” kreu i SPAK tha se kjo strukturë po vijon hetime intensive për 2 vrasje, tre plagosje dhe pengim të zbardhjes të së vërtetës dhe se ka nën ekspertim regjistrimin audio të dorëzuar nga gazetari Artan Hoxha.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos