Ekstradimi i “mafiozit” rus, Kushtetuesja e kalon në seancë. Do të gjykojë edhe... veten

Nga Mario Brakaj
24 Qershor 2025, 18:30 | Kronikë

Gjykata Kushtetuese ka kaluar për gjykim në seancë publike ankimin e bërë nga shtetasi rus Igor Kokunov, kundër vendimeve gjyqësore të drejtësisë shqiptare, që lejuan ekstradimin e tij në Rusi.

Ekstradimi i 62-vjeçarit rus të arrestuar në pikëkalimine Muriqanit në Shkodër në gusht 2023, pasi kërkohej ndërkombëtarisht nga drejtësia e Federatës Ruse si i dyshuar për vepra të rënda penale dhe lidhje mafioze, u krye më 30 tetor, në të njëjtën ditë kur Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë procedurën e ekstradimit, shkruan A2.

Në ankimin e kaluar për shqyrtim, Kokunov kërkon konstatimin si antikushtetues të ekstradimit të tij në Federatën Ruse dhe shfuqizimin e vendimeve të Gjykatës së Shkodrës, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë për ekstradimin e tij, si edhe veprimeve të kryera nga Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pas shpalljes së vendimit të Kushtetueses për pezullimin e ekstradimit të tij në orën 17:15 të 30 tetorit të vitit të shkuar.

Por, jo vetëm kaq. Në ankim, Kokunov i kërkon Kushtetueses të gjykojë edhe veprimet e kryera prej adminstratës së saj. 62-vjeçari pretendon konstatimin si antikushtetues të veprimeve të administratës së Gjykatës Kushtetuese, të pasqyruara në dy shkresa të datës 10 dhe 17 tetor 2024.

Pas ekstradimit të Igor Kokunov, ditën në të cilën procedura u pezullua nga Kushtetuesja, Drejtoria e Burgjeve njoftoi se ishin vënë në dijeni të vendimit të Kushtetueses, pasi 62-vjeçari ishte dorëzuar tek autoritetet ruse.

Sipas Burgjeve, Kokunov ishte përcjellë në Rinas për ekstradim në orën 16:45 të 30 tetorit, vendimi i Kushtetueses ishte shpallur në orën 17:15, ndërsa Ministria e Drejtësisë ishte vënë në dijeni të vendimit me e-mail në orën 17:53, pra gati 1 orë pasi Kokunov ishte ekstraduar.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos