“Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës "Nënë Tereza" po organizon shitjen vjetore të bagazheve të pakërkuara për vetëm 199 lekë”.
Ky njoftim i rremë i shpërndarë në rrjetet sociale në emër të Aeroportit të Tiranës për “shitje valixhesh të mbetura” e që nuk janë kërkuar për më shumë se 6 muaj, synon mbledhjen e të dhënave personale dhe bankare të personave që klikojnë në likun bashkangjitur njoftimit.
Për t’u bërë më të besueshme këto njoftime, në shumë raste autorët përdorin emrat e institucioneve në mënyrë që të tërheqin sa më shumë qytetarë drejt faqeve të rrezikshme.
Mashtrimi i tyre shkon përtej këtij njoftimi. Pasi në komente ajo që vihen re janë mesazhe të shkruara në shqip por nga adresa të personave me emra të huaj, të cilët tentojnë të bëjnë të besueshme njoftimin, duke pohuar se edhe ata kanë blerë një valixhe të tillë, duke e bashkangjitur me një foto.
Kjo nuk është hera e parë që njoftime mashtruese bëjnë që qytetarë të ndryshëm të bien pre e tyre, ndaj edhe institucionet përkatëse dhe ekspertët apelojnë që askush të mos klikojë mbi link nëse ai nuk është i besueshëm.
Raste edhe të tjera të tjera të ngjashme janë duke u hetuar nga policia, por identifikimi i personave përgjegjës është i vështirë për t’u bërë. Gjatë vitit 2024, sipas të dhënave, rezultoi se numri i rasteve të hetuara nga Krimi Kibernetik ishte në rritje. Vitin e kaluar u evidentuan 1,210 raste, 446 më shumë krahasuar me vitin 2023. (A2 Televizion)
Njoftimi i rremë qarkullon në rrjetet sociale, shiten valixhet e harruara në Rinas? Kujdes, faqja është mashtrim
