Një tjetër lëkundje sizmike është regjistruar në vend pas tërmetit të fuqishëm të mëngjesit të sotëm në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, rreth orës 14:21 me orën lokale, është ndjerë një tërmet me magnitudë 3.3 të shkallës Rihter, me epiqendër rreth 11 kilometra në veriperëndim të Tiranës.
Tërmeti ka pasur një thellësi prej 10 kilometrash dhe është klasifikuar si një prej paslëkundjeve të tërmetit më të fortë me magnitudë 4.4 Rihter, i cili goditi vendin mëngjesin e së martës, shkruan A2 CNN.
Lëkundja është ndjerë lehtë në Tiranë dhe zonat përreth, por nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar.
Instituti i Gjeoshkencave në Shqipëri vijon monitorimin e situatës, ndërsa ekspertët sqarojnë se pasgoditjet janë një zhvillim i zakonshëm pas një tërmeti kryesor. (A2 Televizion)