Ekstradohet nga Belgjika Leonard Duka

Nga A2 CNN
2 Gusht 2024, 14:01 | Kronikë

Leonard Duka, i akuzuar si një nga autorët e vrasjes së Santiago Malkos në vitin 2019, është ekstraduar nga Belgjika këtë të premte.

Duka u arrestua në shkurt 2024 në Belgjikë, por u la i lirë pasi në atë kohë nuk kishte marrëveshje ekstradimi mes Shqipërisë dhe Belgjikës. Por në maj 2024 u arrestua sërish me porosi të Shqipërisë, pasi u shpall sërish në kërkim.

Nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit te Organizuar, Dukës i është caktuar masë arresti me burg për vrasjen e ish-efektivit, por edhe si pjesë e grupit të strukturuar kriminal.

Santiago Malko, ish-punonjës i Policisë së Tiranës, mbeti i vrarë mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 në një atentat të mirëorganizuar. Ngjarja ndodhi në zonën e Porcelanit në rrugën “Xhanfize Keko” kur drejt makinës së 26-vjeçarit Malko u qëllua me breshëri nga një tjetër makinë në lëvizje.

Santiago Malko ishte një emër i njohur për autoritetet. Në vitin 2016 ka qenë punonjës i Patrullës së Përgjithshme të Policisë së Tiranës ndërsa dyshimet e ekzekutimit të tij ishin për hakmarrje. Kjo pasi Malko mendohej se ishte i përfshirë në një ngjarje kriminale të ndodhur në qytetin e Durrësit.

Për atentatin u dënua me 25 vite burg Blendi Teta ndërsa të shpallur në kërkim janë edhe vëllai i Leonardit, Erlis Duka, Oltian Loga, Fatmir Hyseni, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku dhe Xhoni Nica. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos