
Një shtetas shqiptar, i akuzuar nga SPAK si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal, është ekstraduar nga Zvicra drejt Shqipërisë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se, si rezultat i bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve operacionale mes Interpol Tiranës dhe Interpol Bern, u finalizua procedura e ekstradimit të shtetasit Jozi Kraja, 37 vjeç, lindur në Shkodër, shkruan A2 CNN.
Sipas vendimit të datës 15 maj 2024, Gjykata e Posaçme i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “arrest në burg”, për veprat penale:
· “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”
· “Grupi i strukturuar kriminal”
· “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale ose grupi i strukturuar kriminal”
Nga hetimet e zhvilluara nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, dyshohet se J. K., gjatë periudhës dhjetor 2020 – maj 2024, ka siguruar kushte dhe mjete materiale për kryerjen e vrasjes së dy vëllezërve, D. B. dhe V. B. (A2 Televizion)