Një godinë e ndodhur në aksin rrugor Lezhë-Laç në fshatin Rrilë ishte shndërruar prej muajsh në një plantacion të fshehtë kanabisi. Objekti trekatësh, i pajisur me kamera sigurie dhe xhama pasqyrë, ishte përshtatur në mënyrë të posaçme për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura.
Operacioni policor i koduar “Second Floor”, i zhvilluar nga Policia e Lezhës, çoi në zbulimin e katër ambienteve të pajisura me ndriçim artificial dhe me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, të përdorura për kultivimin dhe tharjen e kanabisit.
Gjatë kontrollit të objektit, policia sekuestroi 8.8 kilogramë kanabis të tharë, mbi një mijë bimë narkotike, qindra fidanë dhe fara, si edhe 106 llamba elektrike, shkruan A2. Po ashtu, u gjetën dhe u sekuestruan 180 gramë kokainë, tre armë zjarri, dy armë sportive, një automjet dhe disa telefona celularë.
Në pranga ranë babë e bir, Arben dhe Arnold Gjergji, të dyshuar si organizatorët kryesorë të kësaj veprimtarie kriminale që, sipas hetimeve, ishte ushtruar prej disa muajsh. I arrestuar është edhe një punonjës i OSHEE-së, i dyshuar për bashkëpunim për lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, ndërsa katër punonjës të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim detyre.
Policia sqaron se ambientet ishin përshtatur posaçërisht për përpunimin dhe përgatitjen e lëndës narkotike për treg. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie dhe për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. (A2 Televizion)