Mësohet se policia ka shoqëruar në komisariat edhe rojën e sigurisë në Gjykatën e Apelit.
Gazetari i A2 CNN, Igli Çelmeta, ka mësuar se Elvis Shkëmbi, para policisë, ka pranuar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe ka deklaruar se e vrau gjyqtarin sepse po humbte një çështje për pronat që po e shqyrtonte gjyqtari Astrit Kalaja.
Ai pretendonte se i kishte dokumentet e rregullta për pronën dhe se po i bëhej padrejtësi.
Ndërkohë, gazetari i A2 CNN, Senad Nikshiqi, raporton se Elvis Shkëmbi ka pasur pretendime për një pronë. “Ai ka pretendime rreth një prone, për të cilën ka paraqitur edhe disa dokumente. Ndërsa familjarët që janë futur aty pas fiteve 90 kanë pretenduar të kundërtën. Është një konflikt që vijon prej vitesh”.
Në këtë ngjarje të rëndë mbetën të plagosur edhe dy qytetarë të tjetër, babë e bir. Njëri nga të cilët ka marrë një plumb në krah, tjetri një plumb poshtë brinjës.
Kalaja ishte prej 12 vitesh gjyqtar në Gjykatën e Apelit. Në dhjetor 2019 ai u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Vlerësimit, pas procesit të vetingut, shkruan A2 CNN.
Policia tha se ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, brenda ambienteve të gjykatës. Autori i dyshuar është Elvis Shkëmbi, 30 vjeç. Sipas policisë, ky i fundit ka qëlluar në drejtim të gjykatësit dhe palës tjetër në proces, Rakip dhe Ervis Kurtajt, babë e bir, përkatësisht 65 dhe 45 vjeç.
“Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin në ambientet e DVP Tiranë, të autorit të dyshuar, shtetasin E. Sh., si dhe kanë sekuestruar armën e krimit”, tha policia.
Gjithashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë në gjykatë për të parë si është futur me armë autori, ndërsa po merren në pyetje edhe punonjësit e sigurisë të gjykatës. (A2 Televizion)