Kryetari i Dhomës së Avokatisë të Shqipërisë, Prof Dr. Maksim Haxhia, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur brenda gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u vra me armë zjarri gjyqtari Astrit Kalaja dhe u plagosën dy shtetas të tjerë.
Përmes një reagimi për mediat, Haxhia teksa i përcjell ngushëllimet familjarëve të gjyqtarit, shkruan se ndihet i tronditur nga ngjarja.
Haxhia shkruan gjithashtu se kjo ngjarje është një kambanë alarmi për sigurinë dhe shëndetin e gjyqtarëve e prokurorëve, përcjell A2 CNN.
Po ashtu, Haxhia shkruan se kjo ngjarje është edhe një thirrje për avokatët, për ndërgjegjësimin e palëve në proceset penale, civile dhe administrative, për t’ju bërë të qartë atyre se çfarë u takon ligjërisht dhe çfarë jo.
Reagimi:
Të tronditur thellësisht nga ngjarja, lidhur me vrasjen në ambientet e Gjykatës të gjyqtarit të Gjyjatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, kolegut dhe mikut tonë Astrit Kalaja, trupa e avokatëve i përcjell familjes ngushëllimet më të thella. Kjo ngjarje është gjithashtu një goditje për të gjithë sistemin e drejtësisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo ngjarje, për këdo është një thirrje alarmi për sigurinë, së pari të jetës dhe shëndetit të kolegëve, gjyqtarëve e prokurorëve dhe njëkohësisht një thirrje edhe për avokatët për thellimin e punës për ndërgjegjësimin e palëve në procese penale, civile dhe administrative, për ç'ka atyre ju takon ligjërisht dhe për pritshmëritë në proceset ku ata përfaqësojnë palët. (A2 Televizion)