Ekzekutimi i “recepsionistit”, kapen autori dhe bashkëpunëtorët, kërkime për trupin e viktimës

Nga Gazment Janku
7 Qershor 2024, 11:03 | Kronikë

Hetimet për vrasjen e ndodhur në një nga ambientet e brendshme të hotel “Greccia” në Dhërmi janë përqendruar në gjetjen e trupit të 31-vjeçarit, Eraldo Novruzi, që dyshohet se është vrarë me armë zjarri nga Gerald Shehu, një nga bashkëpronarët e hotel “Greccia”.

Ndërsa policia ka njoftuar arrestimin në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u larguar drejt Anglisë të autorit të dyshuar, si dhe arrestimin edhe të dy punonjësve të hotelit, të cilët dyshohen se kanë ndihmuar për transportimin e trupit nga ambientet e hotelit drejt makinës së autorit, ende nuk ka asnjë të dhënë mbi vendin ku mund të jetë hedhur trupi i Eraldo Novruzit.

Ngjarja, e cila ka ndodhur mbrëmjen e vonë të datës 5 qershor, është ende e mbuluar me mister mbi motivet e saj. Eraldo Novruzi, i cili kishte filluar punë si recepsionist pranë hotel “Greccia”, është parë për herë të fundit rreth orës 22:30 të mbrëmjes së 5 qershorit, teksa i ndërronte turnin koleges së tij.

Pas këtij momenti, policia dyshon se autori i dyshuar Gerlado Shehu dhe viktima Erlado Spahiu janë futur në një nga dhomat e stafit pranë parkingut të hotelit, ku mendohet që Shehu e ka goditur me plumb në kokë recepsionistin Novruzi. Më pas, trupi i 31-vjeçarit me ndihmën edhe të dy punonjësve të tjerë të hotelit, Danies Qose dhe David Laerti tashmë të arrestuar është vendosur në mjetin e Geraldo Shehut, i cili ka marrë rrugën drejt Sarandës, rrugë gjatë së cilës mendohet se ka fshehur apo hedhur edhe trupin e 31-vjeçarit.

Më pas, Geraldo ka tentuar të fluturojë drejt Anglisë nëpërmjet aeroportit të Korfuzit ku edhe është ndaluar nga policia greke, pas njoftimeve të marra nga policia shqiptare. Nga të dhënat paraprake ka dyshime se autori dhe viktima mund të kenë patur njohje gjatë kohës që ishin në Angli dhe aktivitetet e paligjshme atje mund të jetë një nga pistat e kësaj ngjarje.

Gjithashtu, si pistë e dytë mund të jetë edhe ndonjë konflikt i çastit. Ndërkohë ende nuk ka të dhëna nëse i arrestuari në Korfuz, Geraldo Shehu ka refuzuar të tregojë vendin ku ka fshehur trupin apo nëse ka persona të tjerë që mund të kenë ndihmuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos