
Ish-drejtori i ASHK në Fier dhe një përfitues janë vënë në prangat e policisë, pasi dyshohen për përfitimin dhe regjistrimin e paligjshëm të 6 pronave me sipërfaqe rreth 71.7 hektarë në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Ndërsa për ish-hartografin e ASHK-së, është vendosur masa “Detyrim paraqitje”.
Sipas hetimeve, përfituesi me iniciale E. H. dyshohet se ka regjistruar pronat duke përdorur dokumentacion të falsifikuar, pavarësisht se kishte përfituar më herët kompensim financiar prej 53.8 milionë lekësh për të njëjtën çështje. Pas regjistrimit, një pjesë e pasurive dyshohet se janë shitur, duke gjeneruar të ardhura të konsiderueshme.
Gjatë hetimit janë sekuestruar 715.976 euro në një llogari bankare të këtij shtetasi si dhe dokumente dhe pajisje elektronike. Prokuroria po vijon hetimet për falsifikim dokumentesh, mashtrim, pastrim parash dhe shpërdorim detyre.
Njoftimi i Prokurorisë Fier
Falsifikoi dokumentet për 6 prona me ndihmën e ish-drejtorit të ASHK-së, Prokuroria e Fierit jep masën e sigurimit ‘Arrest me burg’ për dy personat nën hetim, masë edhe për topografin
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, u arrestuan shtetasit, E.S., ish-Drejtor i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës dhe përfituesi i pronave, të dyshuara të marra me dokumente të falsifikuara E.H., si dhe u dha masë sigurimi ‘Detyrim për t’u paraqitur para oficerit të policisë gjyqësore’ për shtetasin E.R., ish-hartograf pranë ASHK-së Fier.
Hetimet mbi procedimin penal nr. 1715, datë 05.11.2025, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar respektivisht nga nenet 186, 143, 287 dhe 248 të Kodit Penal, nisën pas dyshimeve për përfitim dhe regjistrim të kundërligjshëm të pasurive të paluajtshme në zonën e Levanit, si dhe tjetërsimin e tyre dhe qarkullimin e vlerave monetare të përfituara.
Fakti penal i dyshuar lidhet me vendimin e vitit 2008 i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që parashikonte njohjen e të drejtës së kompensimit për 100 ha tokë bujqësore në zonën e Levanit dhe Dërmënasit. Një prej trashëgimtarëve përfitues, shtetasi E.H., ka përfituar më pas, me Vendimin nr. 1944, datë 26.11.2018, të Agjencisë së Trajtimit të Pronave, kompensim financiar në vlerën 53.800.000 lekë.
Pavarësisht kompensimit financiar, nga hetimi dyshohet se gjatë vitit 2023, shtetasi E.H. ka ndjekur procedura për regjistrimin e 6 pasurive në ZK nr. 2436, me sipërfaqe totale rreth 71.7 ha, duke iu referuar Vendimit nr. 246, datë 21.02.2008.
Hetimi deri ne këtë fazë ka evidentuar veprimet e E.S., ish-Drejtor i ASHK Fier, dhe E.R., ish-hartograf pranë ASHK Fier, lidhur me trajtimin administrativ dhe kadastral të dokumentacionit të përdorur për regjistrimin e pasurive.
Pas regjistrimit, disa prej pasurive dyshohet se janë tjetërsuar nëpërmjet shitjes, duke gjeneruar të ardhura në vlera të konsiderueshme. Hetimi vijon për verifikimin e këtyre transaksioneve, gjurmimin e vlerave monetare dhe përcaktimin e destinacionit të tyre.
Gjatë hetimit u sekuestruan edhe 715.976 euro, të depozituar në llogarinë bankare të E.H. Si dhe janë sekuestruar dokumente, pajisje elektronike dhe materiale të tjera, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
Hetimi vijon për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes, identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë dhe individualizimin e përgjegjësisë penale. (A2 Televizion)