Kur kanë mbetur vetëm dy ditë nga mbyllja e afatit për të sfiduar për prokuror të përgjithshëm, në garë ka hyrë vetëm Adnan Xholi. Në korrik të vitit 2021, ai iu bashkua Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku gjithashtu ka garuar dy herë për drejtues.
Në fakt, e drejta për të aplikuar ka nisur prejdatës 29 qershor, por burimet kanë bërë të ditur për A2 se pritet që në këto orë të mbetura të ketë dhe emra të tjerë që do të synojnë mandatin. Sipas ndryshimeve të Kushtetutës në vitin 2016, kryeprokurori zgjidhet nga tre të pestat e Kuvendit me një mandat 7-vjeçar dhe pa të drejtë emërimi.
Fillimisht, emrat që synojnë detyrën paraqesin dosjen në Këshillin e Lartë të Prokurorisë që bën filtrin e parë e më tej lista e tre kandidatëve që kualifikohen i përcillet Parlamentit për votim. Prej ndryshimit të ligjit themeltar të shtetit, ishte Arta Marku që u zgjodh si numri një i akuzës, edhe pse me një mandat të përkohshëm duke zëvendësuar Adriatik Llallën.
Në atë kohë, opozita kundërshtoi procedurën duke protestuar jashtë dhe brenda sallës së Parlamentit. Më tej, në dhjetor të vitit 2019 Olsian Çela mori mandatin e plotë. Në ndryshimin e Kushtetututës, SPAK konsiderohet strukturë e ndarë nga Prokuroria e Përgjithshme. Madje, dhe prokuroritë e rretheve kanë më shumë pavarësi nga numri 1 i akuzës së përgjithshme.
Megjithatë, do të jetë data 1 gusht që do të shënojë nisjen e garës, por dhe kur do të zbulohen emrat që do të sfidojnë. (A2 Televizion)