
Në Gjykatën e Posaçme po zhvillohet seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit, të akuzuar për "korrupsion", "pastrim të parave" dhe "fshehje të pasurisë".
Ish-deputetja Kryemadhi lexoi kundërshtitë e saj mbi aktakuzën e SPAK.
“Akuza e bazuar në interpretime dhe deduksioneve të mesazheve. Edhe pse SPAK pretendon se seksioni i fibrës optike është parashkruar, e ka vënë në akt-akuzë për të na rënduar pozitat. Akuza paraqet një sms "u firmos nga gjithë ministrat". Shatku më thotë "shkëlqyer". Sipas akuzës, kjo quhet vepër penale. Kjo VKM nuk u miratua nga Ministria e Inovacionit. Një sms i 11 prillit për qëndrimin e Milena Haritos, SPAK citon një komunikim të Adrian Shatkut. Në përmbajtje të tij tregohet mendimi i Adrian Shatkut mbi këtë qëndrim. SPAK ka shkëputur një pjesë të komunikimit që i shërben atyre, edhe pse kronologjia e sms është krejt ndryshe”, tha Kryemadhi, shkruan A2.
"Në listën time të kontakteve kam disa persona me emrin Engjëll. Nëse sot më merrni email-et e mia, ku kam folur për inceneratorët, çfarë do të thotë kjo? Që kam kryer korrupsion për dherat apo për djegësit?”, shtoi Kryemadhi.
Kryemadhi: Janë 70 faqe vetëm fibrën optike. Provat shkresore nuk vërtetojnë ndërhyrje. Organi i akuzës më numëron qimet e shtëpisë dhe mi nxjerr në media.
Gjyqtari: Këtu nuk flitet për gjithçka bëni ju, vetëm për objekt i gjykimit. Jo çdo lloj komunikimi që keni pasur ju në jetën tuaj.
Kryemadhi: i bie të rrimë 45 vjet ne këtu. U them vetëm për fibrën optike organi i akuzës ka përdorur 65 mesazhe. Përderisa jam në akuzë do i përmend.
Gjyqtari: Mund të jeni më të përmbledhur.
Kryemadhi: Zoti gjyqtar, e përmbledhur është. Duke parë dosje vetë, çdo ditë rezulton nga një provë e keqinterpretuar. Jam llahtarisur, të çohet drejtori juridik që është ambasador sot, në një nivel katastrofik, gjobaxhi. Kërkoj falje sinqerisht. Është procesverbali për mënyrën sesi kemi funksionuar. (A2 Televizion)