“Gërdeci” në GJKKO, Mediu: Procesi po kthehet në farsë dhe qesharak

Nga Armand Bajrami
30 Tetor 2024, 17:44 | Kronikë

Në seancën e radhës në Gjykatën e Posaçme, ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, paraqiti të tjera kundërshti mbi akt-ekspertimin ekonomiko-financiar të SPAK në dosjen “Gërdeci”.

Nga banka e të pandehurit, ish-ministri i akuzuar për "shpërdorim të detyrës", këmbënguli se ekspertët që përpiluan aktin kanë bërë vlerësime juridike jashtë tagrit të tyre dhe se kanë lënë pa studiuar më shumë se 80 % të dokumenteve të nevojshme për ekspertimin, shkruan A2.

Sipas Mediut, ekspertët i bëjnë bisht pyetjes edhe nëse janë njohur ose jo me licencat e SAC, kompanisë amerikanë të përfshirë në demontimin në Gërdec, që sipas tij, kishte kaluar në të gjithë filtrat e Departamentit Amerikan të Shtetit, por edhe të ndërmarrjes MEICO e Shërbimit Informativ Shtetëror.

“Akti i ekspertimit është tërësisht alogjik dhe i paligjshëm. Të nxjerrësh produkt të ligjshëm nga një akt i paligjshëm është absurditet i dytë. Ministri i Mbrojtjes edhe sot, edhe më përpara dhe në çdo vend normal demokratik nuk është as financier, as strukturë komanduese për transportin që të përcaktojë sasitë, tonazhin, çmimin e kështu me radhë. Ligjet dhe VKM-të kanë përcaktuar të gjitha këto qëndrime e më vjen keq që kalojmë nga një proces, ku njerëzit e gjykojnë që është serioz, në një proces që po kthehet në një lloj farse dhe qesharak”, tha Mediu.

Gjatë seancës, ish-ministri e konsideroi si absurditet vlerësimin e ekspertëve, që fitimi në rast demontimi të municioneve do të ishte më i madh sesa ai që do të përfitohej nga shitja e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos