Gjyqi pa shokë i ish-ministrit, "sterilizimi", Beqaj në GJKKO: S'më është komunikuar akuza

Nga Armand Bajrami
18 Shtator 2025, 15:28 | Kronikë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, e nisi me debat seancën e parë të gjykimit të tij për dosjen e “Sterilizimit”.

Ende pa u ligjëruar treshja gjykuese, Beqaj kërkoi shpjegime se për ç’akuzë do të gjykohej në Gjykatën e Posaçme. Më tej, pasi nuk pati pretendime mbi gjyqtarët, ish-ministri tha se akuza për të cilën do të gjykohej nuk i ishte komunikuar ndonjëherë.

“Mua më është komunikuar sipas ligjit vetëm akuza e ‘shpërdorimit të detyrës’. Akuza e ‘vjedhjes duke shpërdoruar detyrën’, në formën e grupit të strukturuar kriminal që u rikualifikua gjatë shqyrtimit paraprak, nuk më është komunikuar ndonjëherë”, u shpreh Beqaj.

I njëjti pretendim është ngritur nga Beqaj edhe para trupit gjykues, që më 28 maj veçoi dosjen ndaj tij nga të bashkëpandehurit e “Sterilizimit”, për shkak se ish-ministri nuk kërkoi gjykim të shkurtuar. Në të njëjtën seancë, mbrojtësi i Beqajt, avokati Ermal Yzeiraj, tha se nuk ishte i qartë se për cilën akuzë duhet të mbronte klientin e tij, shkruan A2 CNN.

Përballja e së enjtes e Beqajt me gjykatën, në procesin ku gjykohet i vetëm dhe pa asnjë të bashkëpandehur, zgjati vetëm pak minuta. Për shkak të volumit shumë të madh të fashikujve të dosjes, volume të tëra të së cilës i janë dhënë avokatëve në formë elektronike, gjykata i dha tre javë kohë mbrojtësve të verifikojnë nëse kopja është e plotë.

Sipas SPAK, Beqaj ka vjedhur duke shpërdoruar detyrën në formën e grupit të strukturuar kriminal gjatë lidhjes së kontratës 100 milionë euro të Sterilizimit. Ish-ministri akuzohet se ka nënshkruar kontratë në kundërshtim me ligjin, bazuar në të dhëna të pavërteta në studimin e fizibilitetit dhe pa shmangur konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fitues i koncesionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos