Dumani: Kemi nën hetim një kryebashkiak tjetër për korrupsion aktiv

Nga A2 CNN
14 Tetor 2025, 18:06 | Kronikë

Dumani: Kemi nën hetim një kryebashkiak tjetër për

Altin Dumani, kreu i SPAK, tha se është nën hetim për korrupsion aktiv një kryebashkiak.

Në raportimin e tij në Komisionin e Ligjeve u pyet nga deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, në lidhje me hetimet për krimet zgjedhore, shkruan A2.

Bylykbashi tha se Taks-Forca që u krijua për zgjedhjet rezultoi fiasco, por drejtuesi Dumani u përgjigj duke thënë se janë regjistruar 44 procedime penale dhe se një kryebashkiak është nën hetim aktualisht.

“Nuk mund të them që Task-Forca ka dështuar. Kemi regjistruar 44 procedime penale. Kemi të pandehur një kryetar bashkie për korrupsion aktiv. Kemi nën hetim një kryebashkiak tjetër për korrupsion aktiv. Kemi arrestuar disa persona vetëm për zgjedhjet e 2025, kemi dhe 38 procedime penale që po i ndjekim. Shpresojmë që edhe me këto të kemi rezultate konkrete”, tha Dumani.

Më tej, iu drejtua personalisht Oerd Bylykbashit: “Se tani, ca gjëra duhen thënë. Ne kemi patur komunikim edhe bashkë. Çdo pretendim tuajin e kemi verifikuar në kohë reale. Kam dërguar hetues dhe prokurorë në mes të natës. Ju madje edhe e keni falenderuar prokurorin e posaçëm. Ne sapo organizojmë punën për të organizuar rastin shikojmë në media me titra që filan vend po blihen vota.

Ja ku është dhe z.Gjoni, ka bërë denoncim, kemi çuar prokuror, janë bërë verifikime. Rast në Shkodër, sërish të njëjtën gjë kemi bërë. Ne 20 prokurorë jemi. Jam njësoj i shqetësuar si ju për blerjen e votës, vota është e shenjtë. Por kapacitetet dhe mundësitë e SPAK këto janë”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos