Një 52-vjeçar është vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se transportonte lëndë plasëse dhe municione me qëllim shitjen e tyre.
Operacioni policor i koduar “Porosia” u finalizua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
“Po transportonte granata luftarake, kapsolla detonatore dhe lëndë plasëse (tritol), me qëllim shitjen e tyre, kapet dhe vihet në pranga 52-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal. Sekuestrohen granata dore luftarake, ndezës unifikues granatash, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe kapsolla detonatore. Si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Porosia”. Gjatë operacionit, në rrugën “Kastriotët”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve”, thuhet në njoftim.
“Gjatë kontrollit të qeses që mbante me vete, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore”, vijon njoftimi.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)