Nën kërcënimin e një arme zjarri tip kallashnikov, dy persona grabitën mesditën e kësaj të mërkure një argjendari në Paskuqan në rrugën “Azem Galica”. Të maskuar, autorët u futën brenda në ambient duke kërcënuar dy punonjëset me armë.
Brenda pak minutash autorët arritën të marrin një sasi të konsiderueshme bizhuterish, raporton A2 CNN. Pas grabitjes, autorët të cilët e kishin planifikuar vjedhjen me detaje, për të shmangur trafikun në zonë u larguan me një motor pa targa në drejtim të zonës së Institutit.
Fatmirësisht nuk asnjë prej punonjësve nuk u lëndua ndërsa me mbërritjen në vendin e ngjarjes policia vendosi perimetrin e sigurisë.
Ekspertët morën prova nga vendi i ngjarjes me shpresën se autorët mund të kishin lënë gjurmë. Ambienti ka qenë i rrethuar nga kamerat e sigurisë ndaj dhe verifikimi i pamjeve do të jetë një tjetër mundësi e hetimeve. Burimet kanë bërë të ditur se grupi i punës po këqyr dhe pamjet e sigurisë në akset nga ku mbërritën dhe u larguan autorët me shpresën e identifikimit të tyre.
Nuk është hera e parë që argjendari dhe exchange bien pre e grabitjeve në zonën e Kamëz dhe Paskuqanit. Rreth 3 muaj më parë u grabit një exchange nën kërcënimin e armës, ku më vonë një nga autorët u arrestua nga policia. (A2 Televizion)