
Policia e Durrësit ka zbardhur gjashtë raste vjedhjesh në subjekte tregtare, ndërsa në pranga ka rënë autori i dyshuar, një 23-vjeçar me precedentë penalë për të njëjtën vepër.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Again”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Volum kanë bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e shtetasit me inicialet E. Xh., banues në Durrës.
Nga hetimet dyshohet se 23-vjeçari ka vjedhur shuma parash, pajisje elektronike dhe sende të ndryshme me vlerë në gjashtë subjekte tregtare, të ndodhura në lagjet nr. 3, 8, 15, 16, 17 dhe 18 të qytetit.
Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të zbardhur nëse i riu është autor edhe i vjedhjeve të tjera.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprën penale “Vjedhja e kryer më shumë se një herë”. (A2 Televizion)