Pornografi me të mitur, 29-vjeçari nga Tirana bie në “rrjetën” e Europol

Nga A2 CNN
2 Prill 2025, 17:12 | Kronikë

Pornografi me të mitur, 29-vjeçari nga Tirana bie në

Një operacion ndërkombëtar nën koordinimin e Europol, për goditjen e rrjeteve të pornografisë me të mitur në internet ka hapur hesape me drejtësinë edhe për një 29-vjeçar nga Tirana.

Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Stream”, kundër shfrytëzimit seksual të të miturve, në internet, që u shtri në 35 shtete, u bë kontrolli i banesës së personit në fjalë, ku u sekuestruan disa pajisje elektronike.

”Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Policinë e Shtetit, pas informacioneve të ardhura nga autoritetet policore të Gjermanisë dhe EUROPOL, se dhe një shtetas shqiptar ishte i implikuar në këtë veprimtari kriminale, i ka referuar materialet procedurale Prokurorisë së Tiranës, e cila ka regjistruar procedim për veprën penale “Pornografia”, me të mitur. Si rezultat i veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike dhe Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, u mundësua identifikimi i të dyshuarit, shtetasit M. Z., 29 vjeç, banues në Tiranë.  Gjithashtu, u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për kryerjen e kontrolleve në banesën e 29-vjeçarit, ku u sekuestruan në funksion të hetimit, 3 celularë dhe 1 laptop”, njofton policia.

Më tutje bëhet me dije se pajisjet e sekuestruara janë dërguar për ekzaminime kompjuterike të mëtejshme, ndërsa në vendin tonë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.

Sakaq, operacioni ndërkombëtar “Stream” u drejtua nga Policia Kriminale Shtetërore e Bavarisë dhe nga Zyra Qendrore Bavareze për Ndjekjen e Krimit Kibernetik (ZCB), dhe u mbështet nga EUROPOL.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos