
Ky është momenti kur një 20-vjeçar, me anë të një leve, hap derën e një dyqani dhe më pas vjedh paratë që ndodheshin brenda. I riu ishte kthyer në makthin e bizneseve në Tiranë, deri në momentin kur u kap nga policia.
Bëhet fjalë për një hajdut serial, i cili duhej të qëndronte në banesën e tij, pasi ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” për veprën penale të vjedhjes. Kjo masë nuk e ka ndaluar 20-vjeçarin Orgito Hysenaj të vijojë “pasionin” e tij të vjedhë në kryeqytet bizneset që i dilnin përpara.
Në vetëm 8 ditë, i riu dyshohet se ka vjedhur plot 8 subjekte në zona të ndryshme të Tiranës. Kamerat e sigurisë kanë dokumentuar të gjitha vjedhjet e kryera prej 20-vjeçarit.
Një ditë më parë, policia ka zbardhur vjedhjet e kryera nga i riu gjatë ditëve të fundit dhe më pas ka bërë edhe arrestimin e tij. Hetimet vijojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer 20-vjeçari. (A2 Televizion)