
Një 20-vjeçar është arrestuar pasi kreu 8 vjedhje brenda një jave në Tiranë, duke qenë në arrest shtëpie.
Në kamerat e sigurisë duket se si duke përdorur sende të ndryshme, i riu hap me forcë dyert e bizneseve dhe merr para e produkte, shkruan A2.
Këto vjedhje janë kryer në datat 5-13 gusht.
Njoftimi i policisë:
Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, caktuar për vjedhje, për të kryer vjedhje në 8 subjekte, gjatë 1 jave, kapet 20-vjeçari.
Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në bazë të kallëzimeve të disa shtetasve, për vjedhje në subjektet që kishin në pronësi/administrim, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me shërbimet e komisariateve të tjera në territoret e të cilave ishin kryer vjedhje, finalizuan operacionin e koduar “Multiple”, gjatë të cilit u zbardhën 8 raste në këtë fushë dhe u kap autori i dyshuar i tyre, shtetasi O. H., 20 vjeç.
Nga këto veprime dyshohet se 20-vjeçari, gjatë periudhës 05.08.2026–13.08.2026, ka vjedhur para dhe produkte, në 8 subjekte. Gjatë verifikimeve të mëtejshme rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Hetimet vijojnë për të zbardhur vjedhje të tjera që mund të ketë kryer shtetasi O. H.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)