Ky është momenti ku dy të rinj arrestohen në flagrancë nga policia e Tiranës teksa shkëmbejnë kokainë në një nga lokalet e kryeqytetit.
Prej 2 muajsh ishin nën vëzhgim nga Antidroga e Tiranës. 26-vjeçari Donald Frates u kap në flagrancë ndërsa po dorëzonte çantën me 211 gramë kokainë. Në pranga u vu dhe 19-vjeçari Darlin Shahinasi që po merrte mallin e që dyshohet se kishte detyrën e shpërndarësit.
Frates akuzohet si furnizues i lëndës narkotike që e merrte në Elbasan. Ai ishte i punësuar si menaxher në një lokal që frekuentohet kryesisht nga të rinjtë dhe aty dyshohet se shpërndante edhe drogën.
Mësohet se një prej policëve u përfshi si blerës i infiltruar ndërsa gjithçka ishte nën monitorim prej antidrogës.
Kundrejt një shume prej 8500 eurosh u kërkua të blihej 250 gramë kokainë. Menjëherë pas dorëzimit u kryen kontrolle në banesa ku 19-vjeçarit iu gjendën edhe 41 gramë të tjera kokainë, e cila u sekuestrua bashkë me një makinë tip “BMW” dhe 3 celularë.
Hetimet për shpërndarjen e lëndëve narkotike kanë vijuar edhe në bregdet. Të ndaluar janë edhe shtetas të huaj apo persona të vendosur përkohësisht në zonat ku ka prezencë të shtuar të turistëve. (A2 Televizion)