Prokuroria e Posaçme, SPAK, ka ushtruar kontrolle në një tjetër apartament në Tiranë, për llogari të hetimit të nisur ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe familjarëve të tij.
Me një vendim të Gjykatës së Posaçme në duar, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë kontrolluar apartamentin më numër 11/4 në një nga kullat në zonën e ish-bllokut në kryeqytet, një kat mbi “Partnerts Law”, shoqërinë e konsulencës ligjore të administruar nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa.
Kontrolli i apartamentit është kërkuar nga prokurorët Altin Dumani e Olsi Dado, pas dyshimeve se zotërohet nga familjarët e kryebashkiakut.
Vendimi i gjykatës është ekzekutuar paraditen e së mërkurës nga agjentët e BKH, të cilët kanë administruar në këtë ambient dokumente, apo pajisje elektronike me vlerë për hetimin.
Gjykata lejonte që kontrolli të bëhej me qëllim zbulimin, administrimin dhe sekuestrimin e provave që kanë lidhje me veprën penale duke përfshirë prova dokumentare dhe elektronike, pajisje elektronike, celularë, laptop apo kompjuter personal.
Hetimi që ka përfshirë kryebashkiakun Veliaj dhe familjarët e tij është regjistruar për veprat penale të “korrupsionit pasiv dhe aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të zgjedhurve vendorë”, “pastrimit të parave” dhe “fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë”. (A2 Televizion)