
Policia e kryeqytetit ka arrestuar katër persona pas protestës së zhvilluar mbrëmjen e 28 shkurtit, të thirrur nga Partia Demokratike, ndërsa një 16-vjeçar është proceduar në gjendje të lirë.
Të arrestuarit akuzohen për disa vepra penale, mes tyre “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit”.
Sipas Policisë, gjatë protestës ata kanë hedhur molotovë dhe lëndë piroteknike në drejtim të efektivëve dhe godinës së njohur si Vila 31, në momentin kur në ambientet e saj ndodheshin shtetas të huaj brenda, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në këtë godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.
Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Njoftimi i DVP Tiranë
Në lidhje me protestën e organizuar mesditën e djeshme, më datë 28.02.2026, në orën 18:00, thirrur nga subjekti politik Partia Demokratike, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale, arrestoi shtetasit:
L. M., 20 vjeç, R. D., 33 vjeç, D. R., 21 vjeç dhe S. R., 36 vjeç, për veprat penale “Goditjet për shkak të detyrës”, “Prishja e qetësisë publike”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të rendit publik”.
Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas, gjatë protestës, kanë ushtruar akte të dhunshme, kanë kundërshtuar punonjësit e policisë, si dhe kanë hedhur lëndë piroteknike dhe molotov në drejtim të punonjësve të policisë dhe të Vilës 31, në momentin kur në ambientet e saj ndodheshin persona brenda, shtetas të huaj, duke rrezikuar sigurinë e tyre. Si pasojë janë shkaktuar dëmtime në këtë godinë, si dhe janë dëmtuar 32 kosha mbeturinash të vendosura nga Bashkia Tiranë.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar objekte dhe sende të hedhura (molotovë dhe lëndë piroteknike), të cilat janë dërguar për ekspertime të mëtejshme kriminalistike.
Më tej, është proceduar në gjendje të lirë një shtetas i mitur, 16 vjeç, pasi iu gjet me vete municion i dyshuar për armë sportive.
Si dhe u referuan materialet në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për shtetasin K. B., deputet, pasi ka shkelur ligjin nr. 9754, datë 14.06.2007 “Për Përgjegjësinë Penale të Personave Juridikë” si dhe për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Gjithashtu, janë administruar pamjet filmike të protestës dhe vijon këqyrja e tyre për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në veprimtari kriminale.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)