I arrestuar në operacionin “Metamorfoza”, SPAK sekuestron pasuritë e Pëllumb Gjokës

Nga A2 CNN
27 Tetor 2023, 13:43 | Kronikë
I arrestuar në operacionin “Metamorfoza”, SPAK sekuestron
Pëllumb Gjoka, i pari majtas, i arrestuar nga "Metamorfoza".

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vënë në sekuestro pasuritë e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i arrestuar në kuadër të operacionit Metamorfoza

Në vijim të hetimeve me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.422 datë 23.10.2023 ka vendosur masën së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive”, bazuar në nenin 274 të K.Pr.Penale dhe 36 të Kodit Penal mbi 3 (tre) pasuritë të paluajtshme, me sipërfaqe totale 390 000 (treqind e nëntëdhjetë mijë) m2, si më poshtë:

• Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 113.500 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tregëtare …….;

• Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 61.470 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të një shoqërie tjetër tregëtare ……..;

• Pasuria e llojit Pyll, me sipërfaqe 215.030 m2, e ndodhur në Pulaj- Plazh, Velipojë, Shkodër, regjistruar në emër të shtetasit K. Gj.

Sipas SPAK, nga hetimet e kryera ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se pasuritë e lartpërmendura, janë në pronësi të personave dhe shoqërive të mësipërme janë fituar nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve të kryer nga Pëllumb Gjoka, në bashkëpunim me persona të tjerë.

Vendimi nr. 422, datë 23.10.2023 i Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është ekzekutuar nga Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Ndërkohë vazhdojnë hetimet në lidhje me evidentimin e plotë të fakteve penale dhe personave të përshirë në këtë aktivitet kriminal.

SPAK nisi në gusht hetimin pasuror për të arrestuarit e operacionit “Metamorfoza” që akuzohen se vepronin si grup i strukturuar kriminal. 

Biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-shefi i Forcave Operacionale Oltion Bistri, ish-kryeprokurori i Kukësit Xhevahir Lita, ish-polici Ardit Hasanbega, Astmer Bilali, Edmond Preka dyshohet se kanë planifikuar krime, deri në vrasje përmes ndërhyrjeve dhe pagesave të majme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos