Policia e Shtetit ka arrestuar një 24-vjeçar i cili rezulton i dënuar në Itali për disa vepra të rënda penale, raporton A2 CNN.
“Si rezultat i koordinimit të punës dhe shkëmbimit të informacioneve, me partnerët italianë, nëpermjet strukturave homologe Interpol Tirana dhe Interpol Roma, shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit “Operacionalja 38”, lokalizuan në fshatin Cakran, Fier, kapën dhe vunë në pranga, me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasin Erbin Nazeraj, 24 vjeç”, tha policia.
Ai ishte në kërkim ndërkombëtar, sepse Gjykata e Apelit në Gjenova, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë, për keqtrajtim dhe për vjedhje.
Interpol Tirana po bashkëpunon me homologët në Romë, për të finalizuar ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali. (A2 Televizion)