“Nuk e dinim që ishin agjentë të BKH-së”, zbardhet dëshmia e nipave të Agron Kapllanajt, gjykata i lë në burg

Nga Çaku Tafa
18 Prill 2025, 11:22 | Kronikë

“Nuk e dinim që ishin agjentë të BKH-së”,

Rreth orës 10:00 të mëngjesit të sotëm, në ambientet e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Fier u paraqitën Ledjan Kapllanaj dhe Klaudjo Kapllanaj, dy nipat e ish-kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj, së bashku me Gerald Kollçakun. Të tre u thirrën për t’u njohur me masën e sigurisë pas një incidenti të ndodhur pak ditë më parë, ku akuzohen për “Goditje për shkak të detyrës”.

Sipas burimeve për A2 CNN, të dyshuarit kanë deklaruar në dëshminë e tyre se nuk ishin në dijeni që personat të cilët kishin ndaluar dhe sulmuar ishin agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pasi këta të fundit ishin të kamufluar. Sipas tyre, nëse do ta dinin këtë fakt, nuk do të kishin reaguar në mënyrë të dhunshme.

Seanca gjyqësore u drejtua nga trupi gjykues i përbërë nga gjyqtari Alfred Konomi, prokurori Petrit Vukaj dhe avokati Niko Bega. Në përfundim të seancës, u vendos masa e sigurisë “arrest me burg” për të tre të arrestuarit, ndërsa hetimet për ngjarjen vijojnë. 

I gjithë episodi ka nisur në një kohë kur një agjent i BKH-së, i shoqëruar nga efektivët ka qenë duke zhvilluar një operacionin me urdhër të SPAK në fshatin Portëz e Madhe.

Sipas organit të akuzës ata janë filmuar nga një person dhe kjo i ka bërë të braktisin operacionin për t’u zhvendosur në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, ku edhe u janë afruar disa persona që mbërritën me 3 makina, për t’i sulmuar fizikisht.

"Gjatë kohës që ishin duke qëndruar në mjetin e tyre në një vend tjetër, në anë të rrugës publike pranë vendit të quajtur “Rrethrrotullimi i Parkut”, të qytetit të Fierit, u janë afruar tre automjete nga kanë zbritur disa persona, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike ndaj punonjësve të policisë, pavarësisht prezantimit të këtyre të fundit", sqaron Prokuroria.

Një version ndryshe të ngjarjes kishte paraqitur në një prononcim për A2 CNN, Agron Kapllanaj, i cili pretendon se agjentët e BKH kishin ngritur një dron mbi zyrat e subjektit politik ku ai bën pjesë, “Djathtas 1912”, ç’ka ka nxitur reagimin e të afërme të tij për të kërkuar llogari. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos