
Policia e Shtetit ka vënë në pranga një 43-vjeçar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Në operacionin e koduar “Operacionalja 82”, u arrestua në Durrës Rexhep Muka, i njohur edhe si Kreshnik Muka.
Sipas policisë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi Gjykata e Apelit në Cagliari e kishte dënuar me 12 vite burg për trafikim narkotikësh, të cilit i kishin mbetur rreth 9 vite e 6 muaj të mbetura për t’u vuajtur.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për realizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë.
Njoftim i Policisë së Shtetit
Kontrolle dhe operacione të njëpasnjëshme nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Operacionalja 82”.
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një i kërkuar, i dënuar në Itali për trafikim të narkotikëve.
Shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale, në vijim të punës gjurmuese për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Operacionalja 82”.
Në kuadër të operacionit, në qytetin e Durrësit, nga Forcat Operacionale në bashkëpunim me DVP Durrës, u bë i mundur lokalizimi, identifikimi dhe ndalimi i personit në kërkim ndërkombëtar, shtetasit Rexhep Muka alias Kreshnik Muka, 43 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, Itali, pasi Gjykata e Apelit Cagliari/Itali, në vitin 2021, e ka dënuar me 12 vite burg (mbetur për të vuajtur 9 vite e 6 muaj burg), për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për realizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt Italisë. (A2 Televizion)