Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njofton se një i dënuar me 3 vjet e 11 muaj burgim, ka thyer lejen që institucioni i vuajtjes së dënimit ka dhënë për të, duke mos u rikthyer në IEVP Rrogozhinë.
“Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Rrogozhinë njofton se shtetasi Erjon (Sefer) Markol (Markola), i biri i Ali dhe Zahide, i datëlindjes 01.09.1978, banues në Tiranë, nuk është paraqitur në kohën e caktuar pas përfundimit të lejes shpërblyese. Ky shtetas, është dënuar me vendimin Nr. 2844, datë 01.12.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të parashikuar nga neni 76/22 i Kodit Penal. Aktualisht, i kanë mbetur për të vuajtur 3 vjet e 11 muaj burgim”, sqarojnë autoritetet.
Sipas rregullores, Markola është përfitues i lejes shpërblyese dhe duhet të kthehej në institucion më datë dy dhjetor në orën 13:00, por kjo nuk ka ndodhur.
Mosparaqitja e tij brenda afatit ka detyruar Burgun e Rrogozhinës të depozitojë një kallëzim penal për këtë rast, në ngarkim të tij për veprën penale “Largimi nga vendi vuajtjes së dënimit” parashikuar nga neni 323 i Kodit Penal dhe materialet përkatëse i janë përcjellë Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)