I iku patrullës dhe përplasi me makinë policin, arrestohet 36-vjeçari

Nga A2 CNN
26 Shkurt 2025, 12:42 | Kronikë

I iku patrullës dhe përplasi me makinë policin, arrestohet

Policia ka zbuluar më shumë detaje për ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme në kryeqytet, ku një efektiv mbeti i plagosur pasi u përplas me makinë nga një drejtues që refuzoi ti përgjigjej urdhrit të ndalimit.

Uniformat Blu bëjnë me dije se kanë arrestuar Isnik Nokshiqin, i cili përveçse ka aksidentuar një efektiv, ka vendosur në rrezik edhe jetën e policëve të tjerë që e ndaluan.

“Rreth orës 17:30, në zonën e Freskut, shërbimet e Komisariatit të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë qenë në shërbim, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit me drejtues shtetasin I. N. (i cili u identifikua më pas).  Pas ndalimit të automjetit, drejtuesi ka shfaqur shenja nervozizmi dhe ka filluar të debatojë dhe të kundërshtojë me fjalë punonjësit e Policisë. Drejtuesi i automjetit është larguar me shpejtësi me automjet duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor shtetasit A. L. dhe duke rrezikuar jetën e punonjësve të tjerë të Policisë. Për pasojë është dëmtuar punonjësi i Policisë A. L., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve”, sqaron policia.

Në vijim sqarohet se 36-vjeçari Isnik Nokshiqi, banues në Tiranë, është vënë në pranga për veprën penale “Vrasja e punonjësit të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos