I kërkuar nga SPAK, ekstradohet nga Italia Edison Cukaj

Nga A2 CNN
10 Gusht 2025, 11:53 | Kronikë

Ekstradohet nga Italia një shtetas i kërkuar për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ai është 32-vjeçari Edison Cukaj, por që njihet dhe me emrin Edison Gjoka.

Policia thotë se ekstradimi i tij u bë i mundur në vijim të bashkëpunimit të ngushtë të specialistëve të Interpol Tiranës me homologët e Interpol Romës.

32-vjecari ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në prill 2025, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Mësohet se ky shtetas u zbulua në kuadër të operacionit të SPAK ''Ura'' pasi ka ndikuar te polici i kufirit në Durrës, Naim Beluli që të hyjë pa u kontrolluar.

Bexhet Mema ishte personi që kishte biseduar me efektivin e policë për të kaluar Edison Cukajn-Gjokën. Por plani i tyre dështoi pasi Cukaj u ndalua në Portin e Barit nga autoritetet Italiane, pasi nuk dispononte dokumentacion të rregullt dhe është deportuar në Shqipëri.

Ky episod ka ndodhur në qershor 2022, ndërsa nuk dihet mënyra sesi Cukaj ka kaluar sërish për në shtetin italian ku dhe u arrestua së fundmi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos