
Në seancën e sotme gjyqësore ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçes, të cilët po gjykohen për atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksandër Lahos në vitin 2019 ka dëshmuar Erigen Toska. Ai ka debatuar në gjyq me Dervishajn.
Erigen Toska: Kam pasur një automjet në pronësi, Mercedes-Benz ngjyrë gri, në vitin 2019. Kam pasur një kopje çelësash për këtë automjet. Në shtator të vitit 2019 e kam parkuar makinën në darkë poshtë banesës. Të nesërmen shkoj në vendin ku e kisha parkuar mjetin dhe nuk e gjej aty. Më pas kam bërë kallëzim në Komisariatin e Policisë nr. 6 në Tiranë. Dy-tre muaj më pas më ka marrë policia në telefon dhe më kanë pyetur për makinën. Çelësin e kam dorëzuar te policia kur është bërë kallëzimi.
Plarent Dervishaj: A të ka thirrur i njëjti prokuror edhe në një gjyq tjetër?
Toska: Jo, nuk më kanë thirrur.
Dervishaj: Si ka mundësi që ky dëshmitar, kaq i rëndësishëm, nuk është thirrur në procesin e Ariol Halilit dhe Redian Rrajës? “Kaq kisha, zotëri. Je i lirë, mund të ikësh”.
Në gjyq ka folur edhe Ramazan Rraja, i dënuar me 6 vite burg për rolin e tij në atentat. “Në vitin 2019 kam qenë edhe në Shqipëri edhe jashtë saj, nuk e mbaj mend mirë në cilat periudha. Nuk kam qenë i punësuar para se të arrestohem. Nuk kam pasur konflikt në Durrës dhe as diku tjetër. Plarentin e njoh, Redianin e kam kushëri, të tjerët jo. I kam njohur të gjithë në burg”, citohet të ketë thënë ai.
“Kam pasur të njëjtin numër telefoni nga viti 2017 deri në momentin e arrestimit, mos gaboj, dhe është në emrin tim. Për lokalin “Sodiak” e di ku ndodhet, e njoh pronarin, por kam qenë vetëm një herë. Nuk e njoh Arjan Ndoin, Aleksandër Lahon dhe as Andi Malokun, i kam parë vetëm në televizor. Nuk kam pasur aplikacione të enkriptuara. Nuk e njoh Ervin Matën, nuk di ku ndodhet hoteli “Viktoria”. Në burg ndodhem sepse më keni futur ju, nuk kam ardhur me dëshirë të madhe. I nderuar zoti prokuror, me gjithë respektin për drejtësinë dhe për ju, unë nuk kam idenë për çfarë kam siguruar kushte për askënd dhe asgjë. Nuk kam komunikuar me askënd, nuk i ka ndodhur asgjë Genci Malokut, nuk e di pse më akuzoni”.
SPAK: A keni dijeni që familjarët e Genci Malokut kanë ardhur te familja juaj?
Rraja: Kam dijeni për këtë, por kam parë në televizor që ata kanë dashur të vrasin familjarët e mi, por ka dashur Zoti që ne të flemë rehat.
SPAK: A ke dijeni për një detyrim monetar ndaj Plarent Dervishajt?
Rraja: Në dijeninë time nuk i kam borxh askujt. Kemi pirë kafe me Dervishajn dhe ai e ka paguar kafen, por detyrim tjetër nuk kam ndaj askujt.
Dervishaj: Me datë 1 nëntor, kur ka ndodhur atentati, mund të na thoni ku keni qenë?
Rraja: Kam qenë jashtë Shqipërisë, para dhe pas ngjarjes.
I bashkëpandehuri Bashkim Haxhia: Nuk dua të jap dëshmi.
I bashkëpandehuri Endrit Sinani: Nuk dua të jap dëshmi.
Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, nëse do të japin pëlqimin, do të pyeten në seancën e radhës.
Dervishaj: Kam bërë aplikim për pasaportë dhe kartë identiteti, dhe pa këto nuk mund të zgjedh avokat. Sot avokati im është shumë i lodhur, ndihet i rraskapitur nga pyetjet që ka bërë.
Julian Meçe: Unë do të doja t’i përgjigjesha prokurorit. Që kur kam ardhur nuk më kanë marrë në pyetje. Do të doja të flisja, por çfarë t’i përgjigjem kur këta nuk duan? Më duket si mungesë dëshire për të zbuluar të vërtetën. Nuk jap pëlqimin të përgjigjem pyetjeve të organit të akuzës.
Në fund të pyetjeve, seanca u vendos të shtyhet derisa Plarent Dervishaj të zgjedhë një avokat tjetër. Avokati i caktuar kryesisht jep dorëheqjen nga mbrojtja, pasi sipas tij është paragjykuar në këtë proces. (A2 Televizion)