Flet nëna nga Durrësi që kishte mbyllur tre fëmijët në shtëpi: Punoj banakiere, veshkën e shes dhe ata s'i braktis!

Nga A2 CNN
11 Janar 2026, 22:20 | Kronikë

Flet nëna nga Durrësi që kishte mbyllur tre fëmijët

Ditën e sotme, Policia procedoi penalisht një 33-vjeçare për veprën penale ‘keqtrajtimi i të miturve’, pas denoncimit të ish-vjehrrës së saj, e cila pretendonte se e reja i kishte lënë fëmijët e saj vetëm, të mbyllur në shtëpi.

Mësohet se 3 fëmijët kishin disa muaj pa shkuar në shkollë pasi janë konstatuar me zgjebe. Shkolla e ka referuar rastin në bashki që në muajin nëntor dhe nuk është marrë asnjë masë.

Ndërkohë ka ardhur edhe reagimi i 33-vjeçares, e cila për gazetaren Elitjona Doko të A2 CNN, është shprehur se kurrë nuk do t’i braktiste apo keqtrajtonte fëmijët e saj.

Ajo sqaroi se gjatë ditës është në punë dhe detyrohet që t’i lërë fëmijët vetëm. E reja pretendon se denoncimi në Polici është një kurth që i ka bërë ish-vjehrra, e cila sipas saj, ka mësuar edhe fëmijët që të flasin keq për të.

Duke u ankuar për gjendjen e rëndë ekonomike, 33-vjeçarja është shprehur se ish-burri ka qenë në burg në Itali për 5 vite dhe pasi ka dalë, paguan vetëm 180 mijë lekë të vjetra në muaj për fëmijët.

“Kam 5 vjet e divorcuar. Punoj banakiere dhe të tre fëmijet i lë sëbashku kur iki në punë. Paguhem 400 mijë lekë të vjetra në muaj dhe paguaj 300 mijë lekë qiranë.

A2 CNN bën të ditur se 33-vjeçarja e proceduar penalisht quhet Blerina dhe është nëna e tre fëmijëve 5, 10 dhe 12-vjeç.

E kam të pamundur që të rri me fëmijet se s’kam të ardhura me se të paguaj qiranë dhe t’i ushqej. Ky është kurth nga ish-vjerra, e cila më ka paditur se braktis fëmijët. Si mund ta bej këtë kur unë vetë punoj? Më ka hyre pa leje në shtëpi, ka mësuar fëmijet të flasin keq kunder meje.

Nuk e di por kjo është e patolerueshme. Si vjen në shtëpinë time pa leje dhe më denoncon në polici? Do mbroj fëmijet se babai i fëmijeve ka qenë në burg ne Itali për 5 vjet. Doli nga burgu dhe ka paguar për fëmijet 180 mije lekë të vjetra. Si mund t’i ushqej fëmijët me 180 mijë të vjetra në muaj?

Unë fëmijet nuk i braktis kurrë se jam nënë. Djali i dytë vuan nga epilepsia dhe kam shkuar në spitale për kurim për një kohë të gjatë. Tani është më mirë. Veshkën e shes e femijet nuk i braktis. Fëmijet nuk i lë në jetimore”, tha mes të tjerash 33-vjeçarja.

Flet nëna nga Durrësi që kishte mbyllur tre fëmijët
Blerina 33-vjeçe, e reja që u procedua penalisht për braktisjen e fëmijëve të saj

“Drejtoria Vendore e Policisë Durrës-Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetases B. B., 33 vjeçe, për veprën penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’.

Procedimi penal nisi pasi ditën e sotme, rreth orës 17:20, është paraqitur shtetasja D. V., e cila ka deklaruar se ish-nusja e djalit të saj kishte lënë vetëm tre fëmijët e mitur në pallatin ku banonte, rasti i publikuar dhe në rrjete sociale.

Nga ana e shërbimeve të Policisë, në bashkëpunim me Zyrën e Mbrojtjes së Fëmijëve, u bë e mundur marrja në mbrojtje e tre fëmijëve, të cilët u dërguan në spital për ekzaminime mjekësore dhe më pas u morën në kujdes nga Qendra e Mbrojtjes së Fëmijëve Durrës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme”, thuhej në njoftimin e Policisë për procedimin e 33-vjeçares.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e cila përmes një njoftimi në rrjetet sociale bën të ditur se 3 fëmijët po qëndrojnë në Spitalin Rajonal Durrës, nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe  veshmbathja e nevojshme.

Po ashtu Ministria bën të ditur se në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka publikuar edhe fotografi të fëmijëve teksa ndodhen në Spitalin e Durrësit, për të treguar se gjendja e tyre shëndetësore është e mirë.

Flet nëna nga Durrësi që kishte mbyllur tre fëmijët

Deklaratë për media e Ministrisë së Shëndetësisë:

Durrës, 11 janar 2026 - Pas sinjalizimit nga media ditën e sotme, mbi braktisjen e mundshme të tre fëmijëve nga nëna e tyre, Shërbimi Social Shtetëror, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe Operatorin e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor mori deklaratat përkatëse nga nëna, fëmijët dhe gjyshja e tyre.

Pak minuta më parë, tre fëmijët kanë mbërritur në Spitalin Rajonal Durrës, ku po qëndrojnë nën kujdesin e mjekëve, të shoqëruar edhe nga nëna, ndërkohë që iu është siguruar ushqim dhe  veshmbathja e nevojshme.

Në vijim, do të mblidhet Grupi Teknik Ndërsektorial, për të vendosur mbi masat e mëtejshme për mbrojtjen e fëmijëve. (A2 Televizion)


A2 CNN Livestream

Latest Videos