Një i shumëkërkuar i drejtësisë shqiptare, i cili akuzohet për pjesëmarrje në një vrasje të mbetur në tentativë në qytetin e Bulqizës, është arrestuar në Britaninë e Madhe.
Policia bën me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Another” është vënë në pranga 34-vjeçari, Edison Muceku.
“Si rezultat i shkëmbimit të informacioneve mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar, E. M., 34 vjeç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale: “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje, në formë të veçantë dhe në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”, dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal’”, informon policia.
Muceku dyshohet të jetë pjesë e grupit kriminal të Hektor Xheçukës, 36-vjeçarit të njohur me emrin Tor Xheçuka nga qyteti i Burrelit, grup kriminal që u përfshi në eliminimin e Hamza Terziut.
Shqipëria e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar Edison Mucekun, pasi ai akuzohet nga drejtësia si bashkautor në tentativën e vrasjes që ndodhi në Bulqizë më 21 maj të vitit 2020.
Për këtë ngjarje të zbardhur pas zbërthimit të bisedave në aplikacionin Sky ECC, Gjykata e Posaçme lëshoi disa urdhër-arreste për shtetasit: Hektor Xhecuka, Albert Zaja, Edison Muceku, Tori Xheçuka, Florenc Kelmendi dhe Ardit Gjokrosa.
Sakaq, policia sqaron se Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Manchester, po vijon procedurat për ekstradimin e Mucekut drejt Shqipërisë. (A2 Televizion)