Atentati në Lundër, policia kontroll në zonë në kërkim të ADN-së së autorëve

Nga Xhensila Kodra
24 Prill 2025, 12:57 | Kronikë

Për të zbardhur atentatin e ndodhur në Lundër ku katër persona mbetën të plagosur, dy prej të cilëve të mitur, grupit hetimor iu desh të rikthehej disa herë në vendngjarje për të siguruar prova të reja.

A2 CNN mëson se në zonën ku dyshohet se autorët qëndruan të fshehur në pritje të mjetit tip “Mercedes Benz G Class”, janë siguruar disa sende personale që mendohet t’i përkasin autorëve. Këto sende, mes të cilave edhe një shishe plastike janë dërguar në laborator për ekzaminim dhe do të shihet nëse në to do të përfitohen të dhëna të vlefshme ADN-je e që mund të çojnë në identifikimin e atentatorëve.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për A2 CNN se autorët kanë qëndruar për një kohë shumë të shkurtër të fshehur mes disa shkurreve, pasi kishin dëmtuar edhe një gardh metalik.

Policia dhe prokuroria nuk kanë ende të faktuar dyshimet nëse në këtë atentat është ngatërruar ose jo objektivi. Nga dyshimet e para hetuesit dyshojnë se objektiv në atentat të ketë qenë bashkëshortja e Roan Brahimit, për shkak se mjeti që ajo përdorte ishte i ngjashëm si në tip ashtu edhe në targë ku ndryshonte një gërmë e vetme.

Ndërsa si pistë të dytë po hetojnë konfliktet e mundshme që familjarë të të plagosurve mund të kenë me persona të tjerë. Dy prej të lënduarve janë djemtë e mitur të pronarit të një shoqërie sigurie private. Autorët pasi kryen krimin u larguan prej andej me një motor që më pas u gjet i djegur në Mullet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos