Policia e Tiranës njoftoi se ka nisur hetim penal për 3 efektivë të Komisariatit numër 1 në kryeqytet, pasi akuzohen nga prindërit e një 14-vjeçari se e kanë dhunuar të miturin gjatë shoqërimit në komisariat.
Adoleshenti është shoqëruar nga dy inspektorët dhe një nënkomisare më datën 12 prill, pasi dyshohej se kishte hedhur lëndë piroteknike, në zonën e Liqenit Artificial, veprim i cili ishte njoftuar nga banorët e zonës, pasi ishte shkaktuar panik dhe shqetësim te ta, shkruan A2 CNN. Për rastin i mituri ishte proceduar në gjendje të lirë.
Por prindërit e tij kanë akuzuar tre efektivët, inspektorët D.M. dhe R.D. dhe nënkomisaren Xh.B., se kanë dhunuar të miturin gjatë qëndrimit në ambientet e Komisariatit
Pas kësaj akuze, Drejtoria e Policisë Tiranë ka nisur ecuri disiplinore, për shkelje të rëndë, për të tre efektivët, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, me datë 15.04.2025,ka referuar materialet në Prokurori, me qëllim hetimin penal të 3 punonjësve të Policisë, për veprat “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.
Ndërkohë, Drejtoria e Standardeve Profesionale, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka nisur menjëherë një hetim administrativ, për të verifikuar nëse 3 punonjësit e Policisë kanë shkelur kompetencat dhe detyrimet që iu caktojnë rregullorja e Policisë së Shtetit dhe procedura standarde e punës. (A2 Televizion)