I penduari i "Plumbit të Artë", Dumani tregon për cilën vrasje ju ofruan 2 mln euro

Nga Armand Bajrami
18 Mars 2025, 15:18 | Kronikë

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, rrëfeu para Gjykatës së Posaçme kontaktet e tij të fundit me Talo Çelën, para se ta konsideronte armik dhe të ishte i gatshëm për vrasjen e tij.

Në seancën e së martës të dosjes “Plumbi i Artë”, teksa i përgjigjej pyetjeve të avokatit të të pandehurit Fatos Gosa, Dumani tha se marrëdhëniet me Talo Çelën i kishte prishur pasi ai kishte urdhëruar Altin Ndocin t’i vriste vëllanë.

“Takimi i fundit me Talo Çelën ka qenë kur ai ka ardhur tek shtëpia ime. Ka qenë diku në fund të vitit 2019, fillim viti 2020. Në kishim debatuar shumë më përpara. Ndërsa në telefon për herë të fundit në aplikacionin SKY jemi shkruar në verën e vitit 2020”.

Më tej Dumani tha se kishte bërë biseda për vrasjen e Talo Çelës.

“Kel Kamami më ofroi 2 mln euro për vrasjen e Erion Alibej. Me tha do të jap edhe Talon. I thashë, dua 1.5 mln euro, po më sill Talon përpara”.

Për të pandehurin Fatos Gosa, i penduari i drejtësisë tha se kishte qenë informator në vrasjen e Andi Zylyfit, kushëririt të Erion Alibejt, në 13 dhjetor 2019 në fshatin Përparim të Peqinit. Pretendoi se kishte takuar vetë Gosën tek “Pishat” në Peqin, ku i kishte dorëzuar pagesën, që sipas të penduarit për informatorët varionte nga 15 në 30 mijë.

Deklarimet e tij hasën në reagim të fortë të të pandehurit Gosa, që nga kafazi i sallës së gjyqit mohoi gjithçka, duke pretenduar se nuk kishte pasur kurrë kontakte me Talo Celën dhe se kishte miqësime familjen e Andi Zylyfit. `Në të njëjtën seancë, referuar ditës kur u plagos në një atentat në aksin Elbasan-Peqin, ngjarje pas së cilës u arrestua, Dumani tha se ishte nxjerrë në pritë nga Suel Çela.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos