Një ditë pasi u ekstradua nga Dubai në Shqipëri, Durim Bami, pretendon se i rrezikohet jeta në burgun “Jordan Misja”, të njohur si “313”, në Tiranë.
Përmes avokatit të tij, Ilir Murati, Bami i është drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, të cilës i kërkon transferimin e tij të menjëhershëm drejt burgut të Fushë-Krujës.
Sipas avokatit, në Gjykatën e Posaçme aktualisht po gjykohen anëtarë të disa grupeve kriminale, mes të cilëve “Bajrajt” dhe “Avdylajt”, ku të paktën 16 persona, sipas SPAK, kërkonin eliminimin fizik të Durim Bamit.
Avokati Murati nënvizonte se në burgun 313 ku është akomoduar Durim Bami e në burgun “302”, në atë të Peqinit, të Reçit etj. ndodhen persona që në të kaluarën kanë siguruar kushte për vrasjen e klientit të tij.
Po ashtu, mbrojtësi theksonte se në takimin që ka pasur me Bamin në ambientet e burgut "Jordan Misja" (313), ka konstatuar se Bami ndodhet në gjendje jo të mirë shëndetësore, se po mbahet në kushte jo të mira dhe është në stres të vazhdueshëm për shkak të pranisë në këtë institucion të personave të të arrestuarve për akuzën e "vrasjes" dhe "grupit të strukturuar kriminal".
Duke kërkuar marrjen e masave emergjente të përkohshme të sigurisë deri në tansferimi, avokati i Bamit vlerësonte si institucion të përshtatshëm burgun e Fushë-Krujës, ku nuk ka persona në konflikt me IEVP Fushë-Krujë.
“Duke qenë se bëhet fjalë për rrezik serioz dhe real të jetës së tij, kërkojmë trajtimin urgjent të kësaj kërkesë nga ana juaj, për sa kohë është duke qëndruar në IEVP ‘Jordan Misja’”, thuhej në kërkesë.
Durim Bami u ekstradua në Shqipëri mbrëmjen e së enjtes, për llogari të një mase “arrest në burg” të caktuar në mungesë ndaj tij për veprat penale të “sigurimit të kushteve për të kryer vrasje”, “grupit të strukturuar kriminal” dhe “kultivimit të bimëve narkotike”. (A2 Televizion)