Presidenti i Republikës së Shqipërisë zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenon sigurinë kombëtare të Kosovës.
“Presidenti mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist”, thotë Presidenca në një njoftim.
Në këtë bisedë telefonike, Presidentja Osmani e ka njoftuar Presidentin Begaj në lidhje me zhvillimet e fundit në veriun e vendit, cenimin e sigurisë kombëtare nëpërmjet sulmeve në infrastrukturës kritike si dhe për masat e institucioneve të Kosovës për ta menaxhuar këtë situatë, thuhet në një njoftim të zyrës së Presidentes së Kosovës.
Të dy presidentët, theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë në adresimin e sfidave të sigurisë rajonale.
Një shpërthim u fuqishëm ndodhi mbrëmjen e djeshme në fshatin Varage të Zubin Potokut. Shënjestër ka qenë kanali i ujësjellësit të kompanisë “Iber Lepenci”. Për pasojë u ndërpre edhe furnizimi me ujë për qytetarët e Mitrovicës.
Ky sulm vjen pas atyre me granata në Zveçan, fillimisht në stacionin policor e më pas edhe në godinën e Komunës, që u sulmua me një granatë dore. Ministri Xhelal Sveçla e konsideroi këtë si aktin më të madh terrorist ndaj infrastrukturës kritike qe nga përfundimi i luftës në Kosovë, ndërsa kryeministri Albin Kurti akuzoi drejtpërdrejt Serbinë për organizimin e tij. (A2 Televizion)