Propozimi i ISHP: Kanceri i qafës së mitrës, do të vaksinohen edhe djemtë

Nga Ornela Joti
22 Tetor 2025, 15:22 | Sociale

Vaksina kundër Human Papiloma Virus (HPV), e cila mbron nga kanceri i qafës së mitrës, do të aplikohet edhe tek djemtë. Mund të duket e çuditshme, por është pikërisht ky virus (HPV) që transmetohet përmes kontakteve seksuale, duke rritur rrezikun edhe te meshkujt për shfaqjen e kancerit të organeve gjenitale, por edhe në pjesë të tjera të trupit, shkruan A2 CNN.

Instituti i Shëndetit Publik ka propozuar futjen e kësaj vaksine në vitin 2026, edhe për djemtë e moshës 13 vjeç. Prej tre vitesh, në kalendarin e detyruar të vaksinimit po aplikohet doza katërvalente kundër HPV te vajzat 13-vjeçare.

Gjithashtu, për moshat 14 deri në 20 vjeç, Instituti i Shëndetit Publik ka ndërmarrë një fushatë vaksinimi kundër HPV në qendrat shëndetësore, për të mbrojtur gratë dhe nënat e ardhshme nga kanceri i qafës së mitrës.

Vaksina kundër Human Papiloma Virus aplikohet në të gjitha vendet e Europës, dhe në disa shtete është e detyrueshme edhe për djemtë. Studimet kanë treguar se aplikimi i kësaj vaksine ka ulur ndjeshëm rastet e grave në botë me HPV dhe me kancer të qafës së mitrës.

Në vendin tonë, ky është kanceri i dytë më i përhapur pas atij të gjirit, me mbi 130 raste të reja në vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos