Inati për diamantet, Ilirian Feçi rrëfen grabitjen me Talo Çelën e Dumanin

Nga Armand Bajrami
17 Mars 2026, 16:45 | Kronikë

Ilirian Feçi, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, rrëfeu të martën në Gjykatën e Posaçme grabitjen me dhunë të Lirak Bajraktarit, në shkurt të vitit 2011 në Elbasan. Feçi, i cili është gjykuar në një proces të veçuar nga të pandehurit e tjerë, tha se në ngjarje kishte qenë bashkë me Talo Çelën dhe Dashnor Dumanin, vëllanë e të penduarit Nuredin Dumani. Por ai përjashtoi të pandehurin Gentian Sharra.

Nga tavolina e dëshmitarit, Ilirian Feçi tha se ishte dënuar për grabitjen nga ish-Gjykata për Krimet e Rënda, gjyq në të cilin kishte mohuar akuzën dhe nuk kishte identifikuar shokët.

“Kemi qenë 3 persona, Talo Çela, Dashnor Dumani dhe unë. Armë nuk kemi pasur, as unë, as Talo, vetëm Dashnori kishte një levë”, tregoi Feçi, duke mohuar praninë e të pandehurit Sharra.

Sipas tij, Bajraktarit i kishin grabitur një çantë me varëse floriri, me medalionë dhe orë të çmuara.

Ai dëshmoi se kishte shkuar për ta grabitur Bajraktarin për të marrë mbrapsht paratë e tij.

“Është shumë e vjetër historia,” shtjelloi Feçi. “Unë kam qenë i fejuar me një vajzë nga Belshi. I kam dërguar shpesh bizhuteri dhe diamante. Ajo shpesh i ka shitur te Liraku. Por ai as peshën nuk ia llogariste mirë dhe as vlerën e gurëve”.

Ilirian Feçi rrëfeu se grabitja ishte filmuar nga tre kamera sigurie. Avokati i Gentian Sharrës pretendoi se SPAK ka administruar vetëm pamjet e një kamere. Për këtë shkak, ai i kërkoi gjykatës të marrë videot nga dosja tjetër, ndonëse i dorëzoi ato përmes një USB-je.

Feçi iu përgjigj edhe pyetjeve të prokurorit Behar Dibra, të cilit i vuri në diskutim vërtetësinë e thënieve të të pandehurit Dumani.

“Vendosi pamjet filmike t’i shohësh që kemi qenë veç tre vetë. Binduni edhe ju që Nuredin Dumani ju ka gënjyer këtu e 3 vjet”, tha Feçi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos