Inskenoi vdekjen e tij në Shqipëri, ekstradohet nga Italia biznesmeni Davide Pecorelli

Nga A2 CNN
8 Maj 2025, 11:25 | Kronikë

Këtë të enjte është ekstraduar nga Italia drejt Shqipërisë shtetasi italian Davide Pecorelli, i cili është i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi”, “Dhunimi i varreve”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Sipas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pukë, ndaj tij është caktuar masa “arrest në burg”. Pecorelli u mor në dorëzim në Rinas nga Forcat Operacionale të Drejtorisë së Burgjeve dhe po dërgohet në institucionet e ekzekutimeve të veprave penale.

Vendimin për ekstradimin e Pecorellit e mori ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, pasi Gjykata e Apelit në Perugia dha dritën jeshile për ekstradimin e biznesmenit, në maj të vitit të kaluar.

Biznesmeni italian akuzohet se inskenoi vdekjen e tij në qytetin e Pukës për t’i shpëtuar borxheve, ndërsa kishte refuzuar të apelonte vendimin për ekstradim në Shqipëri pasi u vë në pranga.

“Vendimi i ministrit më befason. E pranoj, por jam seriozisht i shqetësuar për katër fëmijët e mi, dy prej të cilëve janë të mitur, babai im 90-vjeçar dhe vëllai im 60-vjeçar, të dy me aftësi të kufizuara. Por mendoj të mos apeloj, preferoj të shkoj në Shqipëri“, ka thënë ai para hetuesve në Itali.

Në Prill të vitit të kaluar, gjykata e Shkodrës e dënoi atë me 4 vite burg. Biznesmeni nga Umbria u zhduk në janar të 2021 në Pukë, ku u gjet e djegur makina që ai kishte marrë me qira, brenda së cilës u gjetën edhe mbetje skeletore.

Teksa autoritetet shqiptare dhe italiane hetonin për ngjarjen Pecorelli ishte fshehur në Vlorë, ku jetoi i fshehur për disa kohë.

Kur të gjithë e dinin të vdekur, Davide Pecorelli, u shfaq në një gomone pranë ishullit Montecristo. Kur ai u gjet në det në bordin e një gomone, Pecorelli kishte me vete një hartë, një kazmë dhe një lopatë ndoshta për të kërkuar thesarin e pretenduar. Ai madje kishte marrë me qira një garazh ku do të duhej të mbante sendet e çmuara.

Në hartë tregoheshin disa pika të ishullit Montecristo, por përpjekja për ta arritur atë dështoi për shkak të një dëmtimi të gomones.

45-vjeçari italian pasi dogji makinën në Pukë dhe dyshohet se vendosi mbetje skeletore nga ndonjë varrezë aty pranë në të, dyshohet se udhëtoi drejt Toskanës në bordin e një autobusi më pelegrinë pasi kishte kaluar një periudhë në një komunitet afër Medjugorjes. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos