Të hënën ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, doli për disa orë nga ‘arresti shtëpiak’ në të cilën qëndron prej fundit të muajit shkurt. Arsyeja e liri-daljes ishte paraqitja e tij në SPAK, ku mbërriti i shoqëruar nga një oficer policie.
Ish-kryebashkiaku ishte thirrur për të dhënë deklarime në cilësinë e personit që ka dijeni për llogari të hetimit që SPAK po zhvillon ndaj ish-deputetit socialist, Jurgis Ccyrbja, që ndër të tjera akuzohet edhe për ‘korrupsion në zgjedhje’.
Për gati 40 minuta ish-kryebashkiaku Dako dha shpjegime para prokurorëve, ndërsa në dalje nuk pranoi të japë asnjë koment për median. Sipas hetimit të SPAK për dosjen ‘Çyrbja’ rezulton se persona të njohur të botës së krimit në zonën e Durrësit dhe Shijakut, janë angazhuar për vendosjen e emrit të ish-deputetit në listë të sigurt të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentar të vitit 2021.
Mes bisedave të bëra mes tyre në platformën SKY ECC, komunikime që janë pjesë e dosjes hetimore, përmendet edhe emri i ish-kryebashkiakut Dako. Burime jozyrtare bënë me dije se në ditët në vijim pritet që për këtë çështje të thirren për deklarime edhe persona të tjerë, ish funksionarë politikë në Qarkun Durrës, para procesit zgjedhor të vitit 2021.
Një javë më parë Vangjush Dako u dënua me 2 vjet e 8 muaj burg nga Gjykata e Posaçme, pasi u fajësuar për ‘shpërdorim të detyrës’, kryer në dy raste.
(A2 Televizion)