Ish-presidenti kërkon lirinë, shtyhet seanca, avokati: Meta ka zero pasuri në planetin Tokë

Nga Armand Bajrami
20 Qershor 2025, 15:17 | Kronikë

Gjykata e Posaçme nuk mundi të dalë me një vendim të premten mbi kërkesën e ish-presidentit të Republikës, Ilir Meta, për lirin nga paraburgimi, ku rri prej tetorit të vitit të shkuar. Gati 40 minuta pas nisjes, seanca ku Meta nuk ishte i pranishëm, por u përfaqësua nga avokati, u shty për më 26 qershor.

“U shty sepse unë kërkova të njihem me aktet që ka sjellë prokurori, me disa dëshmi. Prokurori ka kërkuar që ne po bëjmë verifikime, sepse po verifikon pasuri të ish-vjehrrës, apo ish-bashkëshortes së z. Meta. Prokurori aty foli për të gjithë të tjerët, por nuk përmendi asnjë moment, ku ishte korrupsioni, ku ishte lobimi e të gjithë ato që janë përmendur për z. Meta.”

Në kërkesën e depozituar në gjykatë nga avokati, Meta e motivonte zëvendësimin e masës me faktin se në 8 muaj SPAK nuk kishte bërë raportimet periodike 2-mujore në gjykatës dhe se ishte President i Partisë së Lirisë e numri 2 i opozitës në vend.

Ndërkohë, burime pranë SPAK bënë me dije se hetimi ka zbuluar edhe një kartë bankare, të vënë në dispozicion nga një biznesmen, që dyshohet të jetë përdorur nga ish-bashkëshortët Meta-Kryemadhi.

“Kartën e ka përdorur ish-bashkëshortja e z. Meta. Z. Meta nuk ka asnjë kartë. Nuk ka ardhur asnjë numër llogarie në emër të z. Meta.”

Më vonë përmes një postimi në Facebook tha se “Ilir Meta mban përgjegjësi vetëm për Ilir Metën dhe për askënd tjetër”.

Avokati Cakrani tha se Meta  nuk do të ofronte garanci pasurore për lirimin e ish-presidentit, pasi kjo ishte jashtë mundësive të  tij financiare.

“Garanci nuk i vendosim dot, pasi z. Meta nuk ka pasuri. Jua kam thënë 100 herë dhe vazhdoj ta them. Janë zero pasuritë e presidentit Ilir Meta. Pasuritë e tij në planetin Tokë janë zero. Të marrin Elon Musk ta çojnë në hënë të gjejnë pasuritë e z. Meta.” (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos