Gati 35 orë pas shpërthimit të një sasie tritoli në portën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Stërkaj, Komisioni i Posaçëm pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor miratoi mbrojtje të veçantë fizike për të dhe familjarët e tij.
Sipas vendimit të Komisionit për Mbrojtjen e Gjyqtarëve, mbrojtja do të ketë një afat 6 mujor. Në mbledhjen e komisionit që ka anëtarësi nga disa institucione, Ministria e Brendshme u përfaqësua nga titullari i saj, Taulant Balla.
“Është momenti për të nënvizuar dhe dhënë një mesazh ndaj kujtdo, që ka hartuar apo është bërë pjesë e këtij akti intimidimi ndaj këtij magjistrati, që Policia e Shtetit e di fare mirë detyrën e vetë.”
Sipas ministrit, zbardhja e ngjarjes është një test për Policinë e Shkodrës dhe se hetimi është drejtuar në disa pista përfshi mundësinë e një akti të organizuar, apo edhe të porositur.
“Duhet të kuptojmë që gjyqtarë dhe prokuror në detyrën e tyre kanë prishur qetësinë e personave të cilët janë objekt i hetimeve apo i vendimeve dhe kur bëra thirrje për të hequr dorë nga intimidimet ndaj magjistratëve këtë thirrje e kisha ndaj gjithkujt."
Intimidimet mund të bëhen me lëndë eksplozive,por mund të bëhen edhe me fjalë edhe me deklarata”
Në këtë kuadër, i pyetur nga A2 CNN për deklaratat e ish-presidentit Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Balla tha: “edhe retorika e këtij lloji, që ju përmendët, i bën dëm dhe është e papranueshme.
Në këtë këndvështrim duhet që secili të vetëpërmbahet dhe respektojë vendimet e drejtësisë”.
Shpërthimi i një sasie tritoli pranë banesës së gjyqtarit Stërkaj në Shkodër, që fatmirësisht nuk lëndoi askënd, u regjistrua mëngjesin e herët të së dielës.
E gjithë ngjarja është fiksuar nga një kamera sigurie, pamjet e së cilës po kqyren nga grupi i hetimit për të mundësuar identifikimin e autorit. Në videon e siguruara edhe nga A2 CNN shquhet autori i ngjarjes, i veshur me të zeza, teksa afrohet me qetësi dhe pasi ndez fitilin e lëndës plasëse largohet me shpejtësi. (A2 Televizion)