“Ka pasur rrezik të shtuar në Lukovë”, Çako: Por, nuk është rrezikuar jeta e banorëve apo turistëve

Nga A2 CNN
28 Korrik 2025, 08:49 | Kronikë

“Ka pasur rrezik të shtuar në Lukovë”, Çako:

Drejtori i Emergjencave Civile, Haki Çako, në një lidhje me “Dita Jonë” në A2 CNN, bëri përditësimin e situatës së zjarreve në vend.

“Kemi pasur zjarre masive në Bashkinë e Delvinës, Konispolit, Himarës dhe Vlorës. Është punuar dhe vijon puna intensive nga strukturat tona. Mbrëmja e kaluar ka qenë shumë intensive në zonën e Lukovës, ku zjarret janë riaktivizuar dhe kanë qenë rrezik i madh për zonat e banuara, por falë punës së jashtëzakonshme, u bë i mundur eliminimi i pasojave nga zonat e banuara”, tha Çako.

“Ka pasur rrezik të shtuar në Lukovë, ashtu si edhe në zonën e Delvinës. Kemi ende prezencë zjarri që po monitorohet në vazhdimësi, me të gjitha kapacitetet, të mbështetura edhe nga ajri me helikopterë”, shtoi Çako.

Sa i përket rrezikut që i kanoset banorëve dhe pushuesve, sidomos në Borsh, Çako tha: “Na është dashur që të ndërhyjmë edhe me mirëkuptimin e turistëve, duke i zhvendosur nëse ka pasur rritje të prezencës së zjarrit. Strukturat kanë qenë gjatë gjithë natës në krye të detyrës, duke bërë të mundur që të mos rrezikohet asnjë jetë qytetari”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos