Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë: Udhëtim transformues i Shqipërisë

Nga A2 CNN
28 Korrik 2025, 14:44 | Ekonomi

Raporti i Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë:

Shqipëria përmendet në mënyrë të veçantë mes 19 vendeve në një publikim të ri të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), i titulluar “Transformimi i Ushqimit dhe Bujqësisë përmes një Qasjeje Sistemike”.

Raporti thekson përpjekjet novatore kombëtare për ndërtimin e sistemeve ushqimore të qëndrueshme dhe rezistente përmes qeverisjes së integruar dhe bashkëpunimit ndërsektorial.

Përmes një njoftimi për shtyp, FAO bën të ditur se, “raporti paraqet udhëtimin transformues të Shqipërisë, nga iniciativat e fragmentuara të zhvillimit rural drejt një modeli të koordinuar dhe sistemik”.

Që nga viti 2021, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR), së bashku me partnerët ka aplikuar në mënyrë strategjike qasjen sistemike për të lidhur sigurinë ushqimore, rritjen ekonomike, turizmin, arsimin dhe sektorin financiar duke adresuar pabarazitë e thella urbane-rurale dhe duke nxitur angazhimin e të rinjve dhe inovacionin.

Sipas FAO-s, një pikë kyçe strategjike e identifikuar në këtë proces është agroturizmi, i cili është shndërruar në një katalizator për ringjalljen rurale duke lidhur bujqësinë, përpunimin e ushqimit, turizmin, kulturën dhe qëndrueshmërinë. Dialogjet kombëtare gjatë Samitit të Sistemeve Ushqimore të OKB-së në vitin 2021 nxitën shkëmbime ndër grupet e interesit, duke përfshirë sipërmarrës agroturizmi, fermerë, autoritete lokale, institucione mikrofinancimi, shkolla kulinarie dhe shërbime të ekstensionit. Këto përpjekje sollën rezultate konkrete, përfshirë ngritjen e kapaciteteve të të rinjve në inovacionin agroushqimor, përmirësimin e aksesit në kujdesin shëndetësor rural dhe përmirësime infrastrukturore.

Ekipi i komunikimit i FAO Shqipëri vë në dukje se ky ndryshim u mundësua përmes zhvillimit të dialogut ndërsektorial që u shndërrua në veprim konkret, duke lejuar bashkëdizajnimin e zgjidhjeve që adresojnë njëkohësisht prioritetet shoqërore, mjedisore dhe ekonomike. Siç theksojnë ekspertët e FAO-së, rasti i Shqipërisë tregon se si zgjidhjet lokale të trajtuara nëpërmjet një qasjeje sistemike mund të nxisin transformim kombëtar.

Në vitin 2023, MBZHR institucionalizoi këtë qasje duke krijuar Njësinë e Veçantë për Agroturizmin dhe Turizmin Rural brenda sektorit të Politikave Tregtare dhe Zhvillimit Rural. Kjo njësi shërben si një mekanizëm qeverisjeje, duke koordinuar ngushtë me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për zbatimin e Ligjit të Turizmit 2024 dhe Planit të Veprimit.

FAO nënvizon se, gjithashtu edhe investimet financiare të konsiderueshme po mbështesin këto përparime.

Një fond investimi prej 250 milionë eurosh për zhvillimin rural dhe iniciativa “Paketa e Maleve” mbështesin agroturizmin, ruajtjen e biodiversitetit dhe inovacionin e udhëhequr nga komuniteti, veçanërisht në zonat rurale dhe malore.

“Rasti i Shqipërisë demonstron se ndryshimi në mënyrën se si mendojmë, veprojmë dhe organizohemi duke tejkaluar përpjekjet e ndara, mund të çojë në ndikim afatgjatë në sistemet agroushqimore, duke kontribuar në progres kombëtar dhe mësime globale.

Ky publikim synon të frymëzojë politikëbërësit dhe praktikantët në mbarë botën duke ndarë shembuj praktikë të qasjeve sistemike që përmirësojnë sigurinë ushqimore, promovojnë zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe fuqizojnë angazhimin e të rinjve”, thekson FAO, në njoftimin për media. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos