Si në Europë e SHBA. Ndryshon "bonusi i bebes", pagesa çdo muaj për fëmijët deri në 5 vjeç

Nga Marjo Brakaj
28 Korrik 2025, 15:07 | Ekonomi

“Do ta rikonceptojmë programin e bonusit të bebes duke filluar nga 2026, dhe në vend të ndihmës financiare me çek, ecim me skemë tjetër më të avancuar sipas numrit të fëmijëve, me pagesa mujore dy-vjeçare, 3 dhe 5 vjeçare. Sipas numrit të fëmijëve, kush bën më shumë do t'i rrimë më afër më shumë”.

Në vend të 40 mijë lekëve për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin, nga 1 janari i vitit të ardhshëm shteti do të japë para çdo muaj nga momenti i lindjes së bebes e deri sa të bëhet 5 vjeç.  

Për fëmijën e parë pagesa do të jetë 5 mijë lekë në muaj ose 60 mijë lekë në vit, për të dytin 7 mijë lekë në muaj apo 84 mijë lekë në vit dhe për të tretin 10 mijë lekë në muaj po 120 mijë lekë në vit, shkruan A2.

Pas 6 viteve në fuqi, skema e bonusit të bebes do të ndryshojë duke iu përafruar vendeve europiane si Greqia apo Italia. Kjo me qëllim “joshjen” e çifteve të reja të lindin më shumë fëmijë. 

Çdo vit po regjistrohen më pak lindje referuar shifrave zyrtare. Kështu, në tremujorin e parë të këtij viti erdhën në jetë 4 662 bebe, nga 5 428 bebe të lindura në të njëjtën periudhë vjet.

Nga 900 milionë lekë në janar-qershor 2024, në gjysmën e parë të këtij viti u dhanë vetëm 500 milionë lekë për fëmijët e sapolindur.

Edhe fondet e planifikuara nuk janë shpenzuar plotësisht. Nga 571 milionë lekë të përllogaritura për bonusin, janë shpërndarë rreth 500 milionë, ose 71 milionë lekë më pak, një diferencë që përkon me lindje që nuk ndodhën kurrë.

Rënia e lindjeve, e shoqëruar me emigrimin masiv, po godet zemrën e ekonomisë shqiptare: mungesë e fuqisë punëtore dhe plakje e shpejtë e popullsisë. Ndërsa mosha mesatare rritet nga viti në vit, qeveria përpiqet të frenojë këtë trend me një skemë të re për shpërblimin e lindshmërisë (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos