Zakoni është më i fortë se natyra, ndërsa kjo e fundit nuk krijon asgjë të tepërt apo të kotë. Kjo fjali, bashkim i dy thënieve nga historiani romak, Rufi dhe matematicieni austronaut, Nikola Koperniku më shumë se kurrë merr kuptim sot.
Kufiri prej 8 miliardë njerëzish në planetin Tokë, është kaluar. Kërkesa e pangopshme për burime materiale do të vazhdojë të rritet, duke nënkuptuar që shfrytëzimi i planetit do të tejkalojë kapacitetin ripërtëritës të sistemeve natyrore. Ndër ata që e kanë kuptuar mesazhin është Samuela, një arkitekte që mbetjet e materialeve të ndërtimit po i kthehen në produkte dizajni, si në rastin e abazhurëve të krijuara nga gurët e bregdetit, shkruan A2.
Samuela Hidri, arkitekte, bashkëthemeluese e BEZHË, tha: “Unë dhe partneri im jemi arkitektë. Duke qenë nga fusha, e dimë që para se të fillojë ndërtimi, kryhen sonda dhe studiohet terreni. Të gjithë këta gurë që ne i kemi kthyer në abazhurë janë copa të marra nga sondat në shkëmbinjtë ku parashikohet ndërtimi – si në Palasë, për shembull. Pas testimit, këto materiale zakonisht nuk përdoren më. Në këtë pikë ndërhyjmë ne, duke marrë ato copa që nuk janë dëmtuar plotësisht”.
Për më mirë apo më keq, njerëzimi ka arritur në pikën në të cilën veprimet do të përcaktojnë të ardhmen e pothuajse çdo specie tjetër në planet. Pavarësisht fakteve të qarta dhe paralajmërimeve të shkencëtarëve, njerëzimi po vijon të bindë veten se ka nën kontroll natyrën.
Kundër rrymës ka dalë edhe Bleona që beson te modeli i ri ekonomik, aty ku vlera e produkteve, materialeve dhe burimeve mbahet në ekonomi për sa më shumë kohë të jetë e mundur dhe gjenerimi i humbjeve minimizohet. Qelqi dhe plastika janë fokusi i saj.
Bleona Zela, Parku i Ekonomisë Qarkulluese, deklaroi për A2: “Ne e nisëm këtë iniciativë si aktivistë, duke filluar me studimin e lumit të Ishmit, i cili është një ndër lumenjtë më të ndotur në Europë. Menduam të bënim diçka edhe për komunitetin pranë këtij lumi, jo thjesht duke u bërë thirrje që të mos hedhin mbeturinat në lumë. Arritëm të ndërtonim këtë qendër, e cila ndodhet vetëm 200 metra larg lumit të Ishmit. Fillimisht ishim të fokusuar te plastika, por më pas vumë re se kishte edhe shumë mbetje nga qelqi. Me prezantimin e projektit, vendosëm të nisim riciklimin e qelqit. Natyrisht, studiuam edhe tregun për të kuptuar se ku mund ta gjenim qelqin. Banorët e mbledhin qelqin në shtëpitë e tyre dhe na e sjellin – materialet janë të pastra dhe të gatshme për përdorim”.
Për fatin e mirë, jetojmë në epokën e mendjes, ideve, atyre të thjeshta në dukje, por revolucionarizuese në përmbajtje. Meivis Struga, një inxhinier mjedisi është një prej tyre. Ai ka krijuar një laborator për kultivimin e kërpudhave duke përdorur mbetje bujqësore, me ndihmën e Bashkimit Evropian dhe GIZ.
Meivis Struga, inxhinier mjedisi, tha për A2: “Tani kemi filluar me përgatitjen e substratit për kultivimin e kërpudhave. Si varietete kemi zgjedhur kërpudhat oyster ose pleurotus, të cilat kultivohen në substrat me bazë kashtën. Këtu kemi disa mostra, pasi aktualisht ndodhemi në fazë testimi. Ambicia jonë është që si lëndë të parë të përdorim mbetje bujqësore, si p.sh. lëvoret e misrit, dhe të nxisim punësimin e të rinjve. Synimi ynë është tregu vendas, e më pas ai rajonal dhe ai i Bashkimit Europian. Kemi zgjedhur një zonë urbane për të krijuar ndikim pozitiv në mjedis dhe për të përfshirë të rinjtë në punësim”.
Në kuadër të Kapitullit 27 të BE-së, Mjedisi dhe Ndryshimet Klimatike janë çështjet më të rëndësishme të negocimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Projektet e treguara më sipër janë vetëm disa prej investimeve të financuara nga mbështetja e unionit apo GIZ. Qëllimi i EU4GreenGen, është mbrojtja e mjedisit dhe e biodiversitetit duke përdorur parimet e ekonomisë qarkulluese.
(A2 Televizion)